TIRANË- News24 është bërë 15 vjet duke mbushur një volum e duke bërë një histori suksesi, një dritare informacioni për të gjithë.


Politika e zotit Irfan Hysenbelliu, Presidentit të Focus Media Group e ka shndërruar News24 një logo dhe një dritare informimi shumë të dashur për të gjithë shqiptarët pa përjashtim dhe një burim korrekt dhe të shpejtë informimi.


fetsa


Në mbrëmjen gala të organizuar për këtë 15-vjetor, Presidenti Hysenbelliu dha një mesazh dhe urim për të gjithë të pranishmit. Ai tha se News24 nuk është një biznes por një investim për shoqërinë, zëri i të pafuqishmit.

“I nderuar zoti President i Republikës, i nderuar zoti Kryetar i Parlamentit, i nderuar Kryetar i parlamentit të Republikës së Maqedonisë dhe miq të nderuar nga vendi fqinj! Të nderuar personalitete të trojeve shqiptare, të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik, të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare! Të nderuar kolegë të komunitetit të biznesit, miq e bashkëpunëtorë. Është nder i veçantë dhe privilegj i madh për mua t’ju mirëpres të gjithëve në këtë 15-vjetor për të festuar një moment të rëndësishëm në historinë e televizionit News24. Unë dua t’ju falënderoj të gjithëve që u bashkuat në këtë ceremoni. Është kaq e mrekullueshme të jesh në shoqërinë e kaq shumë miqve, personalite të shquara të jetës politike, ekonomike dhe mediatike shqiptare. Disa prej jush e dinë se unë nuk jam aspak njeri i fjalimeve por sot e zgjodha të bëj një përjashtim sepse ky përvjetor është në të vërtetë shumë i veçantë për mua. Është i tillë sepse është frymëzuese kjo histori e shkurtër, është model i suksesit. Historia e një investimi modest, prej disa njerëzve vizionarë që shndërruan në një platformë mediatike nga më të rëndësishmet në vend së bashku me Gazetën Shqiptare, BalkanWeb-in, Radio Shqiptare. Është e veçantë sepse mishëron pasionin, përpjekjet dhe sakrificat e qindra djemve e vajzave ëndërrimtarë, burra e grave, profesionistë nga më të mirët të cilët i dhanë shpirtin kësaj risie që do mbërthente shqiptarët si kurrë më parë para ekranit dhe do bëhej modeli për shumë media të tjera. Është e veçantë sepse është projekti që më tundoi dhe më përfshiu pa kthim në botën televizive pas eksperiencës së fëmijës tim të parë mediatike, gazeta Panorama, një histori tjetër suksesi që më ndihmoi të kapërceja dyshimet fillestare për rolin dhe forcën e medias, për misionin e saj të pazëvendësueshëm. Ju bashkova këtij projekti të veçantë me vendosmërinë për të arritur, pa kursyer asgjë, frymëzuar nga instinkti që më bukur se kushdo e ka përmbledhur themeluesi i “Facebook”, kur është shprehur se “nuk doja kurrë të ndërtoja një kompani por të kisha një impakt”. Për mua dhe gjithë bashkëpunëtorët e çmuar ndër vite News24 nuk është biznes por investim për shoqërinë, ku i jep zë të pafuqishmit, ku publiku përballet me realitetin e vërtetë. Ky i dobëti gjen mbështetjen, ku të pashpresët hapin një dritare. Ky është impakti që kisha ëndërruar, por në fakt News24 u ngrit mbi këtë filozofi”, tha Hysenbelliu.

torta

Ai theksoi se “në këto vite ne ja kemi dalë ta rrisim për ta bërë më modern, më të avancuar teknologjikisht, më të pavarur dhe më të paanshëm”.

“Historia frymëzuese e këtyre 15 viteve është edhe modeli ynë i së ardhmes për punën e përkushtimin e pandërprerë në misionin për të bërë një News që ka më shumë forcë, më shumë zë dhe më shumë impakt. Një televizion që i shërben dhe më shumë shqiptarëve. Falë Zotit në këtë mision jemi shumë. Familja që e meriton një falënderim të veçantë publik për gjithë mbështetjen e palëkundur edhe në ditët më të vështira të kësaj aventure. Dhjetëra gazetarë, spikerë, drejtues emisionesh, kameramanë, teknikë, montazhier, staf administrativ, etj, punonjës të shkëlqyer të një ekipi kampion që kanë mirënjohjen time pa kufi. Së bashku ne jemi vërtetë shumë për një udhëtim afatgjatë. Urime të gjithëve në këtë festë të mrekullueshme. Hera e parë që mbaj një fjalim në këtë 15 vjetor, në fakt unë nuk jam i letrave, nuk jam mësuar përballë ekranit, jam marrë me punë. Shumë kompani dhe ju e dini, një nga këto është News24 që e bleva me një përkushtim dhe një ndjesi shumë të fuqishme. Ka qenë një negociatë e jashtëzakonshme, prej 5 vjetësh, një negociatë që ju e keni ndjekur edhe në media. Ka pasur dhe përplasje politike, të cilat kanë qenë të vazhdueshme sepse është një televizion, i cili ka një fuqi dhe një zë qoftë në opinionin publik, qoftë në politikë po qoftë edhe në zhvillimet ekonomike. Arsyeja…do thoni pse nuk bëtë një televizion tjetër?! Nuk bëra një televizion tjetër për arsye se News-i vërtetë më pëlqente, është një zë tepër i fuqishëm dhe kjo qe dhe arsyeja që sot arrita të mbaja një fjalim”, deklaroi Presidenti Hysenbelliu.

(m.k/BalkanWeb)