TIRANË

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt i ka bërë thirrje opozitës të tregohet e kujdesshme në protestën e ditës së shtunë.


Ai shprehet se trazirat janë një rrugë e shkurtër dhe e gabuar për të ardhur në pushtet, ndërsa thekson se Shqipërisë nuk i duhet dhuna pasi e shkuara e saj është e mbushur me ngjarje të tilla.


“Shprehim shpresën tonë që protesta politike e së shtunës nuk do të degjenerojë në dhunë. Aspiratat e të gjithë qytetarëve shqiptarë kërkojnë një diskurs politik të pjekur dhe konstruktiv; trazirat nuk janë një rrugë e shkurtër për të ardhur në pushtet.


Shqipëria ka parë boll dhunë politike në të shkuarën. Çdo kthim në atë kohë vetëm sa do të dëmtonte vendin, veçanërisht tani që ai futet në një periudhë katër mujore vendimtare, kur të gjitha përpjekjet dhe energjitë duhet t’i kushtohen organizimit të zgjedhjeve vendore, të cilat janë një provë e vërtetë për demokracinë”, tha ai.

Gjithashtu më herët ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Bashkimi Europian bën apel të fortë për qytetarët dhe protestuesit, që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos nxisin tensione e dhunë në tubimin e së shtunës, i cili është thirrur nga opozita e bashkuar.

(N.M/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: