Strehimorja më e madhe për refugjatët në Gjermani ndodhet në mjediset e ish-aeroportit të Berlinit, Tegel. 5000 vetë strehohen këtu, rreth 2000 vende ende të lira së shpejti mund të zihen nga refugjatë të rinj.
Aleksandra është e dëshpëruar: Përsëri mungon sapuni në tualete. Prej më shumë se një gjysëm viti dy vajzat e reja nga Kievi jetojnë në ish-aeroportin Tegel të Berlinit: „Këtu është pis, pastrueset nuk pastrojnë mirë. Unë jam që prej shkurtit këtu dhe kam banuar në blloqe të ndryshme dhe kudo ka papastërti. Dhe ka shumë zhurmë. Njerëzve nuk u jepet strehim tjetër, veçanërisht personave të sëmurë dhe me aftësi të kufizuara. Pikërisht ky është problemi. që ata kanë këtu.”
16 vetë në një kapanon
16 vetë jetojnë në një kapanon, ku nuk ka aspak mundësi për sferë private. Gatimi nuk lejohet për arësye të sigurisë nga rreziku i zjarrit. Po ashtu në këto mjedise ka shumë zhurmë, gjë që i shqetëson refugjatët gjithsesi të traumatizuar. Ka gjithashtu shumë ankesa edhe për higjenën si një problem në këtë strehimore. Zyra e Berlinit për refugjatët e pranon, se kushtet janë të vështira – ndonëse bëhen përpjekje sa të jetë e mundur që gjendja të përmirësohet.
Rreth 5000 refugjatë janë strehuar në 40 kapanone. Shumica vijnë nga Ukraina. Është një strehë emergjence kundër vullnetit të tyre. Në fakt ajo duhej të kishte qenë vetëm një qendër pritjeje për refugjatët ukrainas. Por apartamente të lira në Berlin është e vështirë të gjesh dhe si rrjedhojë koha e pritjes në Tegel zgjatet gjithnjë e më shumë. Disa prej tyre jetojnë këtu që prej gati dy vjetësh.
Qytet brenda qytetit
Monika Hebbinghaus, nga Enti Shtetëror për Çështjet e Refugjatëve thotë, se „Ne nuk mund t’i themi askujt, nuk kemi asgjë, ne duhet t’i akomodojmë të gjithë, ky është mandati ynë ligjor dhe sa më shumë njerëz të vijnë, aq më shumë duhet t`i ulim standardet, kjo është ajo që po shohim tani këtu në Tegel, ky nuk është standardi ynë normal i akomodimit, por ndodh për faktin, se shumë njerëz kanë ardhur këtu në një kohë relativisht të shkurtër.”
Dhe kështu në dy vitet e fundit është krijuar një qytet brenda qytetit. Mbi 1.400 punonjës kujdesen për mbarëvajtjen e tij. Me salla sportive, studio manikyre, mensa, mjekë, biblioteka dhe përkujdesje për fëmijët. Rreth një e treta e refugjatëve ukrainas kanë gjetur një punë. Gjatë kësaj kohe për fëmijët duhet të kujdeset dikush. Një gjysmë miliardë euro kushton në vit ky strehim emergjent.
“Kjo këtu është një formë shumë e shtrenjtë akomodimi, thjesht sepse kërkon punë tepër intensive dhe ka kosto shumë të larta operative. Ajo që ne shpenzojmë këtu në energji elektrike, ngrohje dhe kosto qirash për sallat është shumë, shumë e lartë. Pra, janë edhe standardet më të ulëta, përsa i përket hapësirës që u vëmë në dispozicion njerëzve, por është forma më e shtrenjtë e akomodimit, është e drejtë, por ne askund në qytet nuk kemi mundësi të krijojmë aq shpejt kaq shumë vende të tilla”, thotë Hebbighaus nga zyra e refugjatëve.
Pritet të vijnë edhe refugjatë të rinj
Punonjësit në Tegel dëgjojnë çdo ditë ankesa dhe ndonjëherë sulmohen edhe fizikisht. Ata rrallë dëgjojnë fjalë vlerësuese. Nga ana tjetër personeli i strehimores së refugjatëve po përgatitet, se ndoshta së shpejti do të duhet të presin qindra refugjatë të tjerë. Nga Ukraina, ndoshta edhe nga Libani. Dhe ata mendojnë se akuzat ndaj tyre janë të padrejta.
Ndërkohë që 21-vjeçarja Aleksandra dëshiron ta marrë vet në dorë fatin e saj. Sepse pritja, thotë ajo, e sëmur. Kjo është arsyeja, pse ajo dhe bashkëshorti i saj po mësojnë gjermanisht me iniciativën e tyre. Sepse kanë parandjenjën, që ndoshta do të qëndrojnë në Gjermani për një kohë të gjatë.