Një aeroplan dhe një helikopter ushtarak u përplasën dje në mbrëmje në lumin Potomac, mbi Uashington, një nga hapësirat ajrore më të ngarkuara dhe më të ruajtura në botë, vetëm disa milje larg Shtëpisë së Bardhë, Capitol-it dhe Pentagonit.
Për momentin, vetëm katër nga 64 personat që udhëtonin në bordin e avionit janë gjetur, ndërsa për të tjerët, me gjithë dislokimin e madh të burimeve dhe njerëzve, po mendohet më e keqja.
E njëjta gjë për tre ushtarët në helikopterin ”Blackhawk” që u përplas me aeroplanin gjatë një fluturimi stërvitor.
Sipas disa mediave amerikane, 18 trupa janë gjetur tashmë.
Fluturimi i përfshirë në tragjedi ishte ”American Eagle 5342”, i operuar nga ”PSA Airlines” me një avion CRJ-700 në emër të ”American Airlines”.
Ai ishte larguar praktikisht plot dhe po shkonte drejt aeroportit kombëtar ”Ronald Reagan”, më i vogël dhe më afër nga dy aeroportet e kryeqytetit.
Pas aksidentit ai u mbyll dhe të gjitha fluturimet u devijuan.
Presidenti Donald Trump tha se ishte “i informuar plotësisht për këtë aksident të tmerrshëm”.
Nuk dihen ende shkaqet e katastrofës.
Mes hipotezave për një gabim njerëzor apo problem teknik, zyrtarët e FBI-së kanë përjashtuar çdo indikacion për terrorizëm.
Aksidenti ndodhi rreth orës 21:00, kur avioni ishte duke u ulur dhe, sipas pamjeve fillestare nga një kamera vëzhgimi në qendrën ”Kennedy”, aty pranë, ai u shndërrua menjëherë në një top zjarri.
Përplasja do të hetohet nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB), një agjenci e pavarur hetimore e qeverisë amerikane, përgjegjëse për hetimin e aksidenteve të transportit civil.