KOSOVE- Sot bëhen 18 vjet nga luftimet e para frontale ndërmjet UCK-së dhe policisë serbe. Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë serbe në Vojnik, të cilat u tërhoqën, duke lënë të plagosur.

Të nesërmen një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në Vojnik.

“Adem Jashari me 10 luftëtarë i zuri pritë dhe, pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën të përgjakura. Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë Adem Jashari, filluan të qëllojnë majtas e djathtas pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe të nesërmen më 28 nëntor 1997”, shkruan “KosovaPress”.

‘Në këtë ceremoni, ku morën pjesë shumë njerëz, me urdhër të Adem Jasharit, dolën nà « tribunë për herë të parë përfaqësuesit e UÇK-së. Serbia nuk mundi të hynte në Drenicë, deri më 22 janar 1998, ditë kur ia rrethojnë shtëpinë për të dytën herë dhe e goditën me artileri e armë të tjera. Ademi atë natë nuk ndodhej në shtëpi. Luftuan i ati, Shabani, me Hamzën, Besimin (djali i Hamzës), Kushtrimin (djali i Ademit) etj.

U plagosën Selvetja (vajza e Hamzës) dhe Iliriana (vajza e Rifatit). Me të zbardhur dita,e gjithë Drenica u mblodh te kulla e gjuajtur me topa e Adem Jasharit”, shkruajnë mediat kosovare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: