ZVICER- Një 19-vjeçar shqiptar nga Kosova pritet të garojë në zgjedhjet parlamentare të Zvicrës për të qenë një prej deputeteve më të rinj në këtë vend. Veton Rasaj ka lindur dhe jeton në Zvicër, ndërsa familja e tij është me prejardhje nga Kosova.

Ai aktualisht është kryetar i Forumit Rinor në kantonin e Sangalit i Partisë Demokristiane e njohur me akronimin CVP. Por, ky është vetëm suksesi i pari i tij, pasi në tetor të këtij viti, Rasaj do t’i hyjë një sfide mjaft të guximshme për moshën dhe pozicionin e tij.

Ai do të jetë kandidat i CVP-së për postin e deputetit të parlamentit të Zvicrës.

“Ka disa vjet që jam anëtar i Forumit Rinor të CVP-së dhe kryetar i këtij subjekti në kantonin e Sangalit. Këtë vit partia më ka zgjedhur në mesin e 24 kandidatëve të kantonit tonë për të garuar për njërin prej 200 vendeve të parlamentit federal”, deklaroi ai për mediat në Prishtinë.

Vetoni e di se në këtë moshe zgjedhjet nacionale të 18 tetorit janë një sfidë mjaft e vështirë për të, por ai thotë se ka hyrë në këtë garë më shumë për t’u forcuar sesa për të fituar.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb