Donald Trump deklaroi të hënën se do të anulonte “menjëherë” vendimin e Joe Biden që anuloi shpimet e reja në det të hapur për naftë ose gaz në një zonë të madhe detare, pasi të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë do ta anuloj menjëherë atë vendim,” tha presidenti i zgjedhur në një intervistë me drejtuesin e radios Hugh Heëitt.
Duke iu referuar presidentit amerikan në largim, Donald Trump pyeti: “Çfarë po bën? Pse po e bën këtë?
Vendimi për të ndaluar kërkimet, mbulon të gjithë bregdetin e Atlantikut dhe Gjirin lindor të Meksikës. Ai gjithashtu mbulon brigjet e Paqësorit në Kaliforni, Oregon dhe Uashington, por edhe një pjesë të Detit Bering pranë Alaskës.
Në një deklaratë, Joe Biden tha: “Vendimi im pasqyron atë që komunitetet bregdetare, bizneset dhe pushuesit e kanë njohur për një kohë të gjatë: se shpimi në këto brigje mund të shkaktojë dëme të pakthyeshme në vendet që duam” dhe janë të panevojshme për të përmbushur nevojat e kombit tonë për energji.”
Ligji i vitit 1953
Veprimi i Biden bazohet në një ligj të vitit 1953 në lidhje me shfrytëzimin e burimeve në shelfin kontinental, në shtratin e detit dhe në brigjet. Ligji i lejon presidentit amerikan të ndalojë në disa zona marrjen me qira të burimeve minerale dhe shpimet. Ligji, megjithatë, nuk parashikon mundësinë për të anuluar vendimet e mëparshme ndaluese, sipas një vendimi gjyqësor të vitit 2019.
Vetë Trump e përdori këtë ligj për të ndaluar dhënien me koncesion të të drejtave të shpimit në det të hapur në Gjirin lindor të Meksikës, në brigjet e Floridës, deri në vitin 2032. Vendimi i Biden synon të mbrojë të njëjtën zonë për një kohë të pacaktuar.