Opozita mbi 2 orë protestë nga Kryeministria te Bashkia e Tiranës, fjalime, bomba molotov dhe zjarr drejt godinave qeveritare – tubimi mbyllet te selia e PD
11 Korrik, 2024 23:11
Madhësia e tekstit:
Është mbyllur pas më shumë se dy orësh protesta e opozitës, e cila nisi te Kryeministria, vijoi te Bashkia e Tiranës dhe u mbyll në fund tek selia e Partisë Demokratike. Protestuesit u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa seria e fjalimeve që nisi me regjisorin Edmond Budina, u mbyll nga kreu i PD-së Sali Berisha me një fjalë rreth 60 minuta me videomesazh nga shtëpia ku ndodhet në masë arresti prej 30 dhjetorit 2023.
Në fillim të fjalimit të Berishës, te godina e Kryeministrisë janë hedhur bomba molotov, duke treguar ndoshta në këtë mënyrë entuziazmin e protestuesve. Ndërkohë më pas molotovët janë hedhur mbi godinën e Bashkisë, atje ku protestuesit u zhvendosën, për të mbyllur serinë e molotovëve te Kuvendi.
Tubimi i demokratëve u mbyll me një mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, nga shkallët e selisë së PD-së. Noka ka falenderuar demokratët për pjesëmarrjen, ndërsa tha se qytetarët folën dhe protestat do të vijojnë. Noka tha se shqiptarët do të ngrenë zërin kundër padrejtësive. Ai tha se qëllimi i protestave është qeveria teknike dhe lirimi i kreut demokrat, Sali Berisha.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb