Plot 2 vjet mbas vendimit të Këshillit të BE-së dhe çeljes formale të negociatave të anëtarësimit tonë në BE në Bruksel më 19 Korrik 2022, ndryshe nga premtimet dhe pritshmëritë e shumta të shoqëruara me pompë, bujë dhe shampanjë, ende nuk është bërë e mundur çelja e grup kapitujve të parë të komponentëve themeltarë, siç njihen (fundamentals).
Kjo sepse nuk ka patur lëvizje diplomatike për zgjidhjen e çështjes “ Beleri”, ndërsa Shkupi zyrtar veç Sofjes ka filluar nga e para “gërëret” për emrin me Athinën. Lajmi i vetëm pozitiv është përfundimi me sukses vjeshtën e kaluar i fazës së parë ose “ hyrjes” në këto negociata, dmth skanimi/ shqyrtimi analitik i legjislacionit dhe reformave tona, edhe pse jo pa probleme që mbeten për t’u zgjidhur. Por, negociata të vërteta ende jo.
Meqenëse 2024 është ishte zgjedhor përcaktues në të 27 vendet e BE-së, në Francë dhe gjetkë dhe ky vit është pa shanse. Kjo sepse mbas atyre zgjedhjeve do të duhen disa muaj deri sa “të zenë vend” institucionet e reja.
Megjithatë, nuk ka arsye të ngadalësojmë ritmet e punës, me qëllim që ta shkurtojmë dhe jo ta zgjatim më tej këtë rrugëtim. Ja pse thirja e Kryeministrit Rama që deri në vitin 2030 të ngrejmë flamurin në Bruksel, sado i vështirë si objektiv është me vend dhe mobilizues. Kuptohet që fjala është për flamurin e dytë, se të parin Shqipëria e ka ngritur në Bruksel, në selinë e NATO-s 15 vite më parë.
Faktor i rëndësishëm premtues, ndonëse jo përcaktues në këtë drejtim mbetet puna e lavdërueshme përgatitore nga të gjitha strukturat e përfshira në këtë proces jetik. Këtu veçohet dhe do përgëzuar ekipi i negociatorëve i përbërë nga dikasteret e linjës dhe Kryenegociatorja, zonja Majlinda Dhuka për punën dhe përkushtimin pa bujë dhe zhurmë mediatike. Fjalë të mira meriton zinxhiri drejtues i Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme, sidomos drejtoria e BE-së me Admira Shehun, diplomate me përvojë shumëpalëshe dhe Europiane.
Padyshim këtu ka vendin e vet të veçantë Misioni ynë pranë BE-së në Bruksel, si urë diplomatike me BE-në. Mision i përbërë 100 për qind me diplomatë karriere që në 10 vitet e fundit u drejtua me kompetencë dhe përkushtim nga zonja Suela Janina, tani Shefe e Përfaqësisë sonë pranë OKB-së në Nju Jork. Po aq me vend emërimi i ambasadorit tonë më të plotësuar, Ferit Hoxha, i ardhur nga Nju Jorku ku shkëlqeu gjatë pranisë dhe kryesimit tonë në KS të OKB-së dhe i rikthyer 26 vite mbas mandatit të tij të parë ambasadorial në Ambasadën dhe Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel.
Meritë të veçantë për mbikqyrjen e këtyre proceseve ka patur dhe ka Kuvendi dhe Kryesia e tij, grupet parlamentare, Sekretariati i Përgjithshëm, drejtoria e Integrimit dhe Përafrimit të Legjislacionit. Me diplomacinë parlamentare aktive, me shumë aktivitete integruese në Tiranë, në Bruksel, Vjenë, Romë, Zagreb, Pragë, Lisbonë dhe gjetkë. Gjithashtu, nuk ka si të mos përmendet roli dhe ndihmesa e vyer e Komitetit dinjitoz Parlamentar të Integrimit, për rezultatet dhe imazhin që ai përcjell kudo në Europë, falë dhe frymës së tij të konsensusit. Për këtë kanë meritë Kryetarja e tij, përfaqësuese e opozitës, deputetja Jorida Tabaku; më një integritet dhe kompetencë të spikatur, e kudondodhur dhe me angazhim total në mbështetje konkrete të procesit të integrimit. Këto merita dhe përgëzime i takojnë dhe zv.Kryetares së tij, Etilda Gjonaj, përfaqësuese e shumicës socialiste, ish ministrja energjike e drejtësisë gjatë kohës kur vu në zbatim reforma madhore e drejtësisë.
Puna e këtyre strukturave shtetërore dhe atyre jo – qeveritare, komunitetit akademik, medias, etj përbën bazë solide për ecurinë e mëtejshme të negociatave.
Mirëpo problemi, shqetësimi, shtysa dhe pengesa kryesore për vijueshmërinë e tyre pa pengesa dhe probleme të tjera mbetet politika, sjelljet e lidershipit më të lartë, nismat e dyshueshme ligjore që ndërmerren pa akordim me BE-në, si dhe reagimet anemike vetëm me përgjegjësi personale ndaj skandaleve që nuk po kanë të sosur.
Nisur nga ky shqetësim madhor, mbi bazën dhe të përvojës time diplomatike mbi 10 vjeçare në Bruksel, më poshtë po ndalem në mënyrë të përmbledhur në 10 rekomandime dashamirëse të natyrës politike dhe diplomatike, të cilat janë shtjelluar dhe në librin tim të sapo botuar “ Negociatat, sfida e fundit e integrimit”.
Këtu puna fillon me kuptimin e drejtë të raportit midis negociatave teknike dhe udhëheqësisë politike të procesit. Pavarësisht nga roli i negociatorëve, vendimtare për fillimin dhe përparimin e negociatave është drejtimi politik; sepse mjafton një deklarim, veprim dhe bllokim nga një vend i tretë apo ligj i shumicës qeverisëse që i kundërvihet linjave të BE-së dhe puna e negociatorëve do të çvleftësohej.
Jemi dakord me Kryeministrin Rama kur pohon se në BE nuk do të hyjë vetëm qeveria dhe diplomacia, por gjithë Shqipëria, pra dhe ekonomia, ushtria, opozita, shoqëria civile, etj. Por kjo të mos jetë si “ gjethe fiku” për të mbuluar dobësitë dhe mangësitë apo dhe për të shmangur përgjegjësitë tona; le ta theksojmë se aktori dhe faktori kryesor për negociatat është qeveria me shumicën e saj parlamentare.
Në vijim të kësaj ideje, kërkohet me përparësi dhe sa më shpejt realizimi i konsensusit mbarëpartiak për negociatat dhe anëtarësimin në BE në përgjithësi. Këtu kemi si model më të përshtatshëm Kroacinë, e cila theu rekord në negociatat me BE-në, duke i përfunduar brenda pesë viteve. Kjo do të thotë që negociatat të bëhen realisht kryetema madhore politike, institucionale dhe diplomatike që të bashkojë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë, siç kërkon BE-ja dhe tani së fundi.
Mirëpo kjo kërkon detyrimisht krijimin e një klime, terreni dhe mjedisi sa më miqësor ndaj integrimit, respekt, durim dhe vëmendje ndaj opozitës, shoqërisë civile, medias, instituteve shkencore dhe universiteteve, ku ka ekspertë të mirënjohur për problemet e BE-së. Vetëm kështu konsensusi kthehet në realitet.
Më tej, krahas modernizimit të infrastrukturës, porteve, aeroporteve, përparësia duhet t’i kushtohet mbi të gjitha forcimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, medias së pavarur, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, etj. Themi kështu sepse kur sheh se çpo ndodh aktualisht, të krijohet perceptimi se kemi të bëjmë me një vend në zhvillim, që synon modernizim kudo, veç pa demokracinë dhe shtetin e të drejtës, çka do të përbënte dallimin dhe kapërcimin tonë të madh politik dhe social.
Teza se ”reformat i bëjmë për vehte, për vendin e jo për Brukselin” është gjysëm e vërtetë; po, reformat i bëjmë dhe pse i kërkon Brukseli. Se sado të mira qofshin, nëse këto reforma nuk do të certifikohen nga BE-ja, ku po duam të anëtarësohemi, besueshmëria dhe për pasojë efektiviteti i tyre do të jetë i mangët ose dështak.
Lidhur me sloganin tjetër se ”Europën do ta sjellim apo do ta bëjmë në Shqipëri”, dakord, por dhe kjo jo për të mbuluar mosarritjet apo kusuret tona. Gjithsesi, më parë duhet ta tregojmë këtë vullnet politik integrues në Bruksel, të marrim ” bekimin ” e tij dhe pastaj ok, le ta sjellim Europën në Shqipëri, me vlera dhe parime.
Po aq e nevojshme është të vlerësohet zëri dhe mendimi i të 27 vendeve anëtare të BE-së, tok dhe veç e veç. Nuk mund të bëjmë përpara duke bërë diversion ndaj njerit e tjetrit, apo me mendimin se mjafton ta mbajmë mirë me më të ”mëdhenjtë”.
Më tej, politikanët, liderët dhe qeveritarët tanë duhet ta kuptojnë një herë e mirë se BE-ja nuk është vetëm apo kryesisht Komisioni Europian se demek na paska ekspertizën më të mirë. Në fakt, ekspertë, madje dhe më të mirë kanë të gjitha institucionet dhe vendet anëtare të BE-së, duke filluar nga më i vogli te më i madhi. Kryesorja, vendimmarrjen politike nuk e ka Komisioni, por Këshilli i BE-së, dmth të 27 vendet anëtare dhe liderët e tyre. Ndaj, nëse do të kesh sukses në negociata, duhet të kesh marrëdhënie të mira konsensuale me të katër institucionet më të larta të BE-së e në radhë të parë me të gjitha vendet e saj anëtare. Ja, shiheni, ndonëse Komisioni na ka kaluar sa herë vitet e fundit, ”na ka lënë në klasë për vjeshtë” Këshilli Europian! Tani, mirë a keq, ja që kështu është ndërtuar BE-ja; kujdes, këtu po flasim në terma Realpolitik dhe jo në mëyrën politike “ dëshirore!
Gjithashtu, disa vendime dhe veprime tona gjeopolitike, të mirëpritura dhe nga aleatët tanë të mëdhenj, si mikpritja e afganëve, muhaxhedinëve, Marrëveshja me Italianë për azilkërkuesit, baza ushtarake ajrore në Kuçovë e të tjera mund të ndikojnë përkohësisht dhe deri në një farë mase, por nuk janë vendimtare për ecurinë e negociatave, ca më pak kur ato nuk shoqërohen me zgjidhjen e problemeve të brendshme apo nuk shmangin incidentet me vende të tjera.
Ndërkohë, vërtet që suksesi ynë në zgjedhjen në forume të larta ndërkombëtare, përfshirë dhe OKB-në, organizimi i samiteve të rëndësishme europiane në Tiranë, etj janë akte me jehonë diplomatike të cilat mbahen shënim; por sërish vetëm me to nuk mund të “kalosh lumin” e negociatave, nëse nuk plotëson kushtet dhe kriteret e njohura të Kopenhagenit. Kjo u pa qartë dhe te zgjedhja jonë në KS të OKB-së, kryesimi i OSBE-së, samitet me BE-në në Tiranë, etj, të cilat nuk është se patën ndonjë ndikim në përshpejtimin e negociatave.
As inteligjenca artificiale dhe dixhitalizimi, megjithë rëndësinë e tyre, veç përshpejtimit të ritmit të përkthimit të legjislacionit voluminoz europian në shqip nuk mund të zëvendësojnë dhe kompensojnë zbatimin e reformave të lartpërmendura madhore, punën, përpjekjet dhe rezultatet “brenda shtëpisë”
E fundit por jo më pak e rëndësishmja, nuk mund të ecim me ritmin e kërkuar në negociatat pezull nëse nuk do të zgjidhim probleme dhe incidente të ndryshme dypalëshe, më konkretisht me Greqinë për çështjen Beleri, por jo vetëm.
Justifikimet/pretendimet se ky është problem dypalësh dhe nuk ka pse problemi të transferohet në Bruksel dhe në negociata “ nuk pin më ujë”. Së pari, pala tjetër, e cila është në BE pretendon të kundërtën dhe së dyti, BE-ja e ka bërë të qartë se nuk do pranojë asnjë vend aspirant që ka probleme me fqinjët.
Dakord, drejtësia është e pavarur, por ndaj ke shumicën në Kuvend, që të bësh ndryshimet e duhura ligjore për zgjidhjen e një problemi, natyrisht pa e cënuar pavarësinë e drejtësisë.
Shpresojmë që zhvillimet e reja dhe zgjedhja e Zotit Beleri si Eurodeputet të jenë me ndikim pozitiv në kapërcimin e ngërcit dypalësh dhe europian të krijuar në këto 15 muajt e fundit me Athinën zyrtare. Leja e dhënë për t’u paraqitur në konstituimin e Europarlamentit ishte gjest i vullnetit të mirë që do vijuar më tej dhe ndonëse gjendja mbetet problematike, mundësitë për kapërcimin e ngërçit në fjalë nuk mungojnë. Vetëm se bashkë me palën greke duhet të tregojmë fleksibilitet diplomatik, pa i marrë gjërat “ gjërat majë më majë” sepse “ uthulla e fortë prish enën e vet”; kursesi nuk po thotë njeri të hiqet dorë nga sovraniteti dhe të drejtat tona; porse ndaj është diplomacia, për të zgjidhur e kapërcyer sa më butë situata të tilla brengosëse me një vend fqinj dhe aleat si Greqia. Kërkohet kujdes i madh, se ndoshta problemi i Bashkisë së Himarës urojmë të jetë në rrugën e zgjidhjes, Beleri dhe çështja e tij do të vazhdojnë të na mbeten si ” gozhdë” në Bruksel, Strasburg, Athinë, Tiranë dhe gjetkë, në pritje të zhvillimeve të reja me ndikim në ritmin e negociatave tona. Menaxhimi i butë dhe efektiv diplomatik i kësaj “ patateje të nxehtë” dhe i gjithë “ menusë me spec” me Greqinë është vendimtar për ritmin e negociatave tona; ndaj gjithçka do bërë nën këtë prizëm.
Çdo demarsh apo nismë tjetër, sado e drejtë në parim, pavarësisht nga emri dhe justifikimet, ndoshta mund të jepte ndonjë avantazh afat-shkurtër zgjedhor, por do ishte kundraproduktive për shtyrjen e negociatave, me humbje dhe pasoja të tjera të mëdha. Kësisoj, druaj se as për vitin 2030, as për marrëveshjen e Detit, as për pensionet, as për ligjin e luftës, as për çështjen çame nuk do të kishte ndonjë shans dhe perspektivë të vërtetë, veç “fjalë të mira dhe gurë në trastë”, premtime dhe zhgënjime të reja.
(BalkanWeb)