TIRANE

Mbërrin në edicionin e 17, Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”. Bëhen 20 vjet që nga premiera e parë e tij, me regji të Pali Kukes, të cilit i është besuar sërish ky angazhim.

Me pjesëmarrjen e 15 konkurentëve nga vende të ndryshme të botës si: Itali, Spanjë, Rusi, Ukrainë, Turqi, Kinë, Kore, Shqipëri, Francë dhe Greqi, ky festival në këtë edicion sjell edhe dy të ftuar special, tenorin me famë botërore Murat Karahan dhe virtuozin e violinës, fituesin e disa çmimeve ndërkombëtare Elvin Hoxha.

“Në 1999, tashmë u bënë 20 vjet që ka filluar ky event, shumë i rëndësishëm për të gjithë krijuesit shqiptarë, veçanërisht të vokalit operistik. Ishte një sipërmarrje e madhe, edicion vit pas viti, dhe gjithmonë e më prestigjozë, gjithnjë e më potent në atë që i vuri për detyrë vetes ky festival i vokalit ndërkombëtar operistik “Marie Kraja”, shprehet regjisori Pali Kuke.

Ky edicion i “Marie Krajës” është i ndërtuar në tre netë, në datën 18 të gjithe konkurentët do të këndojnë përpara jurisë dhe me pas në datat 19 dhe 20 përballë publikut, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse. Një repertor me ariet më të bukura dhe këngët legjendë të vendeve do të jenë pjesë e programit të festivalit.

“Janë parë që janë një pjesëmarrje e nivelit shumë të lartë. Pra, ata do të paraqiten jo vetëm me arien që ata zgjedhin e që u pëlqen dhe që është filtruar, por do të vijnë dhe do të ndezin atmosferën për publikun me ato këngët legjendare të kombësive të tyre apo të bashkëkombësive të tjera fqinje, që kanë hyrë në zemrën e spektatorëve për alegrinë dhe për vlerat e mëdha që kanë këto balada të famshme”, thotë regjisori i këtij edicioni të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.

Juria e festivalit të 17 është e përbërë nga personalitete të artit operistik dhe drejtorët e disa prej operave më të mëdha në botë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb