Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit, Eno Bozdo, deklaroi sot në studion e News24 se fushata që nisi sot zyrtarisht për zgjedhjet e 11 majit, do të shërbejë si një moment kthese për qytetarët e qarkut të Beratit, të cilët sipas tij kanë paguar çmimin e lartë të mbështetjes së gjatë ndaj Partisë Socialiste.
“Berati është boshatisur nga të rinjtë. Mbështetja e tyre e pamasë për PS ka rezultuar e gabuar, pasi sot qyteti përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe sociale”, u shpreh Bozdo.
Ai prezantoi disa nga elementët kyç të paketës së PD, të cilën e quajti “paketa e dhembshurisë”, si minimumin jetik prej 200 euro në muaj, kartë konsumi për shtresat në nevojë dhe ulje e çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë për kWh.
Në lidhje me pyetjen se si do të financohen këto politika, Bozdo kujtoi vitin 2005, kur FMN i kishte bërë të njëjtën pyetje ish-kryeministrit Berisha. “Pas një viti, mblodhëm më shumë të ardhura se qeveria e mëparshme që kishte taksa më të larta. Problemi sot nuk janë paratë, por mënyra si harxhohen. Një kilometër rrugë këtu kushton 7-8 milionë euro”, theksoi ai.
Bozdo shtoi se çdo koncesion abuziv do të hetohet dhe përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.
Ai gjithashtu theksoi angazhimin e PD për bujqësinë, me një fond prej 200 milionë euro, të dedikuar për financime direkte për çdo prodhim bujqësor. “Do të japim 1 euro për çdo litër vaj ulliri të shitur, 20 lekë të vjetra për kilen e ullirit, si dhe mbështetje për mishin, vezët, perimet dhe çdo prodhim tjetër”, sqaroi Bozdo.