NGA ERJON SKENDAJ

TIRANE– Mbi 200 familje që jetojnë në katër pallate shumëkatëshe fare pranë rrethimit të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ankohen se nuk po marrin dot frymë, dhe as nuk mund të hapin dritaret për shkak të tymit të madh që çliron oxhaku i kaldajës së spitalit.

Të tjerë banorë ngrenë pretendimin spitali ka vite që djeg mbetjet spitalore pak metra larg edhe një kopshti ekzistues prej 30 vitesh në atë zonë.

Por pretendimet e banorëve hidhen poshtë nga drejtuesit e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” të cilët deklarojnë për “News 24” se tymi i vetëm del nga kaldaja që punon me solar.

Në një komunikim telefonik, drejtues të institucionit pranojnë se dy ditë më parë ka patur një anomali me solarin e përdorur në kaldajë, i cili ka qenë jo cilësor dhe për këtë është bllokuar përdorimi i tij dhe i është kthyer mbrapsht firmës së nënkontraktuar.

Sa i përket pretendimit të banorëve për djegien e mbetjeve spitalore, spitali bën me dije se ato transportohen dhe eliminohen jashtë maternitetit nga një kompani e specializuar.

Por edhe kjo deklaratë e spitalit nuk i ka qetësuar banorët, të cilët i bëjnë apel Ministrisë së Mjedisit që të bëjë me urgjencë matjen e cilësisë së ajrit në këtë zonë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb