TIRANE – Policia e Shtetit vijon operacionet anti-kanabis në të gjithë vendin. Rreth 200 forca policore po vijojnë kontrollet mbi bazën e informacioneve policore dhe operative që disponon Policia, për evidentimin dhe goditjen e vendmagazinimeve të bimëve narkotike, si dhe për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në 24 orët e fundit janë zhvilluar 6 operacione: 1 në Tepelenë, 2 në Memaliaj, 1 në Shkodër, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë.
Në kuadër të këtyre operacioneve, policia ka vënë në pranga katër persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Në Shkodër, Lezhë, Vlorë, Tepelenë dhe Memaliaj janë sekuestruar 371 kg kanabis, dhe janë evidentuar 4 kapanone që shërbenin për tharje të bimëve narkotike.

Gjatë tre operacioneve në Tepelenë dhe Memaliaj policia asgjësoi 7.500 bimë narkotike në proces tharje dhe përpunimi.

Ndërkohë po vijon puna për evidentimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb