Deputetja demokrate, Rudina Hajdari, tha se 2018-a nuk ishte një vit i suksesshëm për qeverinë Rama. Duke iu kthyer ish-ministrit Arben Ahmetaj, i cili e cilësoi të suksesshëm 2018-ën, Hajdari tha se ai dhe shtatë ministra të tjerë u shkarkuan nga detyra pikërisht në këtë vit, që tregon sipas saj, se nuk kemi të bëjmë me sukses.


“Është e rëndësishme për të bërë një rezyme, se çfarë ka ndodhur në vitin 2018. E kam parë mirë realitetin, se çfarë ka ndodhur gjatë këtij viti, pasi kam qenë deputete. Ahmetaj shtroi argumentet e tij pse viti 2018 ishte i suksesshëm. Dua t’i kuptoj se ishte pikërisht viti 2018, kur Ahmetaj u shkarkua nga detyra. Ishte kjo qeveri që shkarkoi tetë ministra, ky fakt tregon se nuk është vit i suksesshëm i qeverisë Rama, viti 2018.

Më tej, Hajdari deklaroi se në vitin 2018 krimi i organizuar kapi sektorin e ekonomisë, duke e rrënuar atë.


“Raportet ndërkombëtare tregojnë qartë, sidomos i DASH i vitit 2018, se krimi i organizuar ka kapur sektorin ekonomik. Në fakt, krimi ka kapur gjithë aspektin ekonomik. Kjo tregon se ne jemi kthyer jo në një ekonomi që po rritet, por në një ekonomi kriminale. Tirana është kthyer në epiqendër të pastrimit të parave dhe po shpërthen me ndërtime të reja. Paaftësia e Ramës ka bërë që situata të dalë jashtë kontrollit të tij. Rama është kampion mbi shmangien e përgjegjësisë. Edhe në vitin 2018, kur ekonomia pati dështim total, Rama vazhdon ta mbulojë.


Viti 2018 u mbyll me një protestë madhore nga studentët, që tregon se familjet shqiptare nuk janë në gjendje të përballojnë tarifat studentore, të rrisin fëmijët. qeveria vazhdon ta injorojë këtë fakt dhe nuk është bërë asgjë për rininë shqiptare sot. Qeveria injoron edhe faktin se gjatë 2018 ka kaluar disa ligje preferenciale për një shtresë të qeverisë, që i quajmë sot si oligarkë”, u shpreh deputetja.

Sa i takon, procesit të hapjes së negociatave, deputetja theksoi se ditët në vijim politika duhet të tregohet e fortë dhe e qartë me shqiptarët, për t’iu treguar atë që do të ndodhë, teksa më 18 tetor pritet vendimi final i Këshillit të Evropës.

“Propaganda e radhës që po shitet sot tregon se ne nuk jemi në gjendje të mburremi me asnjë aspekt. Ne kemi dështuar t’iu japim shqiptarëve atë që meritojnë, t’iu japim një shpresë për të rinjtë. Ju duhet të jeni më konkret, pasi 2019 do jetë viti testues dhe do ndiqet nga disa raporte tjera, që do tregojnë se realiteti shqiptar po bie gjithnjë e më shumë. Ndaj, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re politike, që ne të themi realitetin. Ditët në vijim duhet të jemi sa më të fortë dhe të tregohemi të qartë me shqiptarët se çfarë do ndodhë me negociatat”, deklaroi Hajdari.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb