TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve të News 24 ka hedhur akuza të forta në adresë të Presidentit të vendit Bujar Nishani përsa i përket dhënies së verdiktit nga gjykatat për 21-janarin, sot kur shënohen 4 vjet nga ngjarjet në bulevard, ku 4 protestues humbën jetën.

Braçe shkoi më tej, kur deklaroi se Presidenti Nishani është një barrierë për zbardhjen e 21 janarit.

“Dua t’i kërkoj falje familjarëve të viktimave të 21 janarit, t’ju them se kemi disa barriera
kushtetuese e ligjore për të dhënë verdiktin për ngjarjet e 21 janarit. Barriera e parë është Presidenti i Republikës, ai është përgjegjës pse drejtësia nuk e jep verdiktin”, tha Braçe.

Ai shtoi më tej se, “nuk kam asnjë lloj besimi tek gjykatat, as tek Gjykata e Lartë”.

“Presidenti të pyetet pse nuk ka drejtësi për 21 janarin. PD është pala nën akuzë e 21 janarit. Nishanin nuk e kam dëgjuar asnjëherë të artikulojë mosgjetjen e autorëve të 21 janarit, por edhe të urdhëruesve. Për sa kohë reforma në drejtësi po vonohet për ti dhënë shqiptarëve një sistem drejtësie që bën drejtësi në kohë reale, pa i zvarritur gjërat, sigurisht përgjegjësia është e jona”, shtoi Braçe.

Më tej deputeti i majtë komentoi edhe akuzat që i vijnë nga dega e PD-së në Lushnje, duke thënë se, “Dega e PD në Lushnje drejtohet nga një ordiner”.

Ndërsa në lidhje me çmimin e naftës, që në Shqipëri nuk po ulet ashtu si në vendet e tjera, Braçe e lë sërish përgjegjësinë tek qeveria paraardhëse. “Ridvani është arkitekti i kësaj situate që kemi sot. Përpara se të bëjmë politikë me këtë gjë, është mirë që qytetarët ti fikin makinat, por ata duhet të shpjegojnë se çfarë ka ndodhur. Ne e kemi gjetur tregun e karburanteve të përqendruar në maksimum, janë 3 kompani që kontrollojnë gjithë tregun”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: