TIRANE- “Prova për ‘21 janarin’ që do të tronditin themelet e drejtësisë shqiptare”. Ky është qëndrimi i djalit të Faik Myrtajt, një prej viktimave të “21 janarit” menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila nuk rihap çështjen. Renato Myrtaj nuk jep detaje për provat që ia pretendon se ka siguruar e që së shpejti do të bëhen publike nga mediat ndërkombëtare.

Renato thotë se një kopje e provave dhe dokumenteve që ai zotëron rreth ngjarjes së “21 Janarit” dhe që priten të publikohen pas pak ditësh, i janë dërguar edhe Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama. Vendimin e sotëm të Gjykatës ai e cilëson një vrasje të tretë për familjen e tij, por që e priste nga drejtësia shqiptare.

Edhe familjarë të Ziver Veizit, të vrarë më 21 janar deklarojnë se nuk do ta pranojnë vendimin e Gjykatës së Lartë, por do vijojnë të kërkojnë drejtësi.

MOTRA E ZIVER VEIZIT: NUK E PRANOJMË VENDIMIN E GJYKATËS, DO VIJOJMË TË KËRKOJMË DREJTËSI
Familjarë të viktimave të “21 janarit” thonë se nuk e pranojnë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe do të vijojnë të kërkojnë drejtësi, deri në dënimin e fajtorëve. Motra e Ziver Veizit, një prej të vrarëve në bulevard thotë se brenda kësaj jave të 4 familjet e viktimave të “21 janarit” do të kenë një takim në kryeministri, për të diskutuar rreth kësaj çështje.

Qëndrimi i tyre do të vijojë të jetë i njëjtë, duke mos pranuar dëmshpërblim për viktimat, por zbardhjen e ngjarjes që u mori jetën 4 personave që protestonin në bulevard më 21 janar të vitit 2011 dhe dënimin e autorëve.

Familja e Ziver Veizit 4 vite më parë ka dorëzuar në gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut dosjen për “21 janarin” dhe pak ditë më parë, kjo gjykatë me anë të një shkrese drejtuar qeverisë shqiptare ka kërkuar që të japë informacion për ecurinë e procesit penal dhe të dorëzojë në këtë gjykatë një kopje të fashikullit të hetimit.

Ezaurimi i të gjitha hallkave ligjore në Shqipëri është kusht kryesor për nisjen e procesit gjyqësor në Strasburg. Tashmë vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë i hap rrugë kësaj procedure.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb