Nga KLODIANA LALA* TIRANË- Një nga pikat e axhendës së Raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, do të jetë takimi me familjen e Aleks Nikës, një prej katër viktimave të demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Fleckenstein, i cili vjen në vendin tonë për një vizitë treditore në kuadër të raportit për Shqipërinë që duhet të paraqesë në pranverë, i është përgjigjur letrës që ka mbërritur në zyrën e tij nga bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, dhe do të dëgjojë nga afër “hallin” e madh të familjes Nika. Takimi mes Raportuesit dhe familjarëve të viktimës, parashikohet të mbahet mëngjesin e së shtunës së 10 janarit. Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, tha se do të kërkojnë nga Raportuesi Knut Fleckenstein, që të ushtrojë ndikimin e tij pozitiv, që

vrasja e nipit të tij të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend. “Ne kërkojmë të dime se kush e vrau në mes të rrugës dhe përse. Duam që përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, – tha Mark Nika, në një intervistë për “GSH”. (intervistën e plotë mund ta lexoni në “Gazeta Shqiptare” print)

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb