TIRANE- E veçanta e zgjedhjeve të 21 qershorit është se deri tani janë të paktën 6 deputetë në dy krahët që do të lënë mandatin e deputetit. Nga 6 deputetë të rinj që pritet të vijnë në Kuvend, 4 do të jenë zonja nga listat e 23 qershorit 2013.

Nuk ishte mbyllur shpresa më 23 qershor dhe as pasi ministrat lanë mandatin e deputetët. Shpresa për një pjesë deputetësh që nuk hynë dot në Kuvend që në fillim të mandatit vijon. Kjo pasi listat e kandidatëve për zgjedhjet vendore të këtij viti po shoqërohen edhe nga një e veçantë. Deri tani, në të dy krahët janë 6 deputetë që po lënë mandatin për të garuar për një prej bashkive të vendit, ndërsa më parë kjo si lëvizje ishte e reduktuar kryesisht në Bashkinë Tiranë. Ndërsa armata e grave në Kuvend pritet të shtohet, pasi 4 nga 6 deputetët e rinj do të jenë zonja. Në vend të Armando Subashit dhe Majlinda Bufit, që kandidojnë në Fier, pritet të vijnë në parlament Bujar Çela dhe Antoneta Dhima. Nga Artur Bushi, që kandidon për Bashkinë e Krujës, mandati i deputetit kalon te Shkëlqim Troplini.

Nga PD deri tani janë deputetët Ardjan Turku i Elbasanit dhe Besnik Dusha i Tropojës që lënë mandatin për këto dy bashki. Në të dyja këto qarqe PD nuk e ka respektuar kuotën e përfaqësimit të grave. Si rrjedhojë e kësaj, lista nuk spostohet tek emri pasardhës, por pritet të vijnë në Kuvend Arbjola Halimi e qarkut të Elbasanit dhe Mimoza Hajdarmataj nga ai i Kukësit. Nga LSI mandatin e lë Miranda Rira, që garon për Bashkinë e Përrenjasit, duke i lënë vendin në Kuvend Edlira Çekrezit. Listat për kandidatët ende nuk janë mbyllur përfundimisht, por përveç deputetëve që po garojnë në disa bashki kryesore, forcat politike janë detyruar që në disa të tjera të rikandidojnë aktualët. Bien në sy ato të Partisë Socialiste, e cila pothuajse e ka përmbyllur listën e saj. Më kryesorët janë: Vangjush Dako i Durrësit, Qazim Sejdini i Elbasanit, Fatos Tushe i Lushnjës, Elvis Roshi i Kavajës dhe Sotiraq Filo i Korçës.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: