Nga: ARTAN FUGA*
Si po merr fund edhe e fundit hapësirë publike e papolitizuar në këtë vend. E para, centralizon vendimmarrjen krejtësisht në duart e ministrit të Arsimit. E dyta, krijon pabarazi normative të padrejta midis operatorëve privatë dhe publikë. E treta, nuk u jep përgjigje, përkundrazi, kontribuon në përkeqësimin e gjendjes së sotme të arsimit të lartë në Shqipëri. E katërta, nuk afirmon disa parime demokratike të arsimimit universitar në një shoqëri në demokratizim, si edhe pjesëmarrjen e hapësirës sonë në hapësirën europiane të arsimit dhe kërkimit shkencor. E pesta, e trajton arsimin e lartë në mënyrë të izoluar dhe të veçuar nga shoqëria dhe operatorët ekonomikë, duke i ngjarë më shumë një rregulloreje të brendshme të universiteteve që i quan publike, por që në fakt kthehen në shtetërore. Më konkretisht :
1. Ekzistenca e disa agjencive shtetërore që do të kenë në dorë të gjitha vendimmarrjet përfundimtare të jetës dhe veprimtarisë universitare, të varura ose kompozuara direkt nga ministri, dhe pa përcaktime në ligj, bie ndesh me Kushtetutën, që rolin rregullator normativo¬administrativ ia ka dhënë një institucioni kushtetues, pra Ministrisë dhe askujt tjetër. Aq më tepër që këto agjenci kanë aq shumë kompetenca dhe kanë aq shumë hierarki vertikale, saqë realizojnë një mbivendosje të burokracisë shtetërore mbi universitetet. Ato e thërrmojnë administrimin e jetës universitare në mënyrë vertikale në agjenci të ndryshme, por që në fund të fundit nuk janë veçse delegime të vullnetit të ministrit, dhe për këtë përbëjnë shkelje të lirisë dhe autonomisë universitare, që ligji gjoja pohon si parim. Me këtë projektligj marrin fund universitetet publike dhe rikthehen në modelin e universiteteve shtetërore sipas modelit para viteve ’90.
2. Njohja nga ligji e disa tipologjive të institucioneve të arsimit publik si universitetet, akademitë, kolegjet universitare dhe kolegjet profesionale, krejt të paspecifikuar për legjitimitetin dhe dobinë e tyre, sjell një thërrmim dramatik të institucioneve arsimore universitare. Institucionet universitare zbërthehen, thërrmohen në dhjetëra e dhjetëra universitete lagjesh e katundesh, duke shkatërruar të gjithë peizazhin universitar shqiptar. Po aty, ekzistenca e 7 filialeve si aktivitete jashtë “selive” është krejt konfuze dhe legjitimon kaosin e sotëm dhe proliferimin “kanceroz” të agjencive universitare në territorin e vogël shqiptar, si dhe sjell përkeqësimin e plagës të mbivendosjes së aktiviteteve universitare, si dhe zgjatime pa cilësi të universiteteve jashtë kritereve territoriale.
3. Organizimi i brendshëm i universiteteve është i një tipi konservator dhe tepër klasik, i tejkaluar nga koha ku neglizhohen dhe përçmohen strukturat ndërdisiplinore, të cilat në të gjitha rastet konsiderohen si të tilla që nuk llogariten në parametrat e akreditimit të institucioneve. Fakultetet dhe departamentet ndërtohen sipas modelit të kazermës, të mbyllura dhe pa kryqëzime disiplinash.
4. Krijon pabarazi diskriminuese midis universiteteve private dhe atyre publike, sepse nuk ka asgjë pothuajse normative që mund të krijojë influencën e shoqërisë për funksionimin e brendshëm dhe rolin e funksionet e universiteteve private. Edhe mediat private kanë detyrime shoqërore, të ashtuquajtura “ngarkesa”, kurse universitetet private nuk kanë të tilla. Ndihet lobimi i fuqishëm i privatit në hartimin e këtij projektligji, duke mos e detyruar atë të vendoset financiarisht në kushtet e transparencës financiare përpara studentëve dhe familjeve të tyre, si edhe pa parime të imponuara demokratike që sigurojnë të drejtat e pedagogëve të tyre. Universiteteve private u lejohen të gjitha format ekonomike dhe financiare të investimit, kurse këto u privohen krejtësisht universiteteve publike që u ngjanë më shumë punishteve mesjetare me modelimin që u bëhet.
5. Krijon një dyzim fatal dhe rrënues të funksioneve administruese të universiteteve publike duke goditur parimin e drejtimit unitar të institucioneve, krijon dualizëm mes drejtimit akademik dhe atij administrativ dhe duke rrezikuar bllokime dhe humbje të përgjegjshmërisë në drejtim. Asnjë vendim i rektorit ose i dekanit për çështje akademike nuk mund të hyjë në fuqi sipas projektligjit, pa miratimin e bordeve të administrimit të kontrolluara nga Ministria dhe burokracia shtetërore.
6. Fut në fakt ndërhyrjen vendosëse të ministrit të Arsimit për rregulloren e brendshme të institucioneve, në kompozimin e bordeve dhe në të gjitha vlerësimet dhe shpërndarjen e granteve dhe financimeve publike. Vendimmarrja në thelb i kalon ministrit të Arsimit.
7. Ndërpret ndihmat dhe mbështetjen për studentët në vështirësi vetëm në ciklin e parë të studimeve, duke krijuar pabarazi shoqërore në arsimim. Nuk u krijon ligjërisht kushte studentëve ta ndërtojnë lirisht kurrikulën e formimit të tyre universitar sipas shembujve të përparuar bashkëkohorë dhe demokratikë. Po ashtu, nuk tregohet se kush vendos për numrin e studentëve të pranuar mbi kuotat e vendeve të punës të hapura për pedagogë, mbi çfarë kriteresh bëhen pranimet pas përfundimit të studimeve në shkollën e mesme, kush përcakton çmimet e regjistrimit, dhe a i përdor dot apo jo universiteti fondet nga pagesat për regjistrim etj. Na thuhet se këto do të përcaktohen me vendime të Këshillit të Ministrave, pra projektligji “ndriçon” me boshllëqet ligjore që krijon, duke i hapur rrugë plotësimit të tij me vendime arbitrare që kalojnë jashtë kontrollit parlamentar.
8. Kufizon arbitrarisht mekanizmat ekonomike për zhvillimin e universiteteve publike, që shfaqen gati si agjenci ekonomike feudale, nuk parashikon aksionariatin, investimet e huaja, investimet nga operatorë ekonomikë, si dhe kufizon të ardhurat dytësore të pedagogëve nga projektet në shifra arbitrare. Ka të drejtë të japë lokalet e veta dhe trojet e veta me qira universiteti publik? Asgjë nuk thuhet. Pra, nuk akordohet! Ka të drejtë universiteti publik të hapë bursën e aksioneve për pasuritë e tij deri në masën së paku 50%? Asgjë nuk thuhet. Pra, nuk lejohet! Ka të drejtë universiteti publik të hapet në kapitale deri në 50% ndaj kapitaleve të huaja? Asgjë nuk thuhet. Pra, as nuk imagjinohet! Ka të drejtë universiteti publik që të ndërtojë një piramidë të vetën pagash? Asgjë nuk thuhet. Larg qoftë! Në fakt, edhe tani pedagogët e universiteteve janë në një masë të konsiderueshme të kohës të tyre të punës në gjendje skllavërie. Domethënë, ata nuk paguhen për punën e bërë. Korrigjime provimesh? Pa lekë. Drejtime diplomash masteri ose bachelor¬i? Pa lekë. Kumtesa dhe referate në konferenca shkencore? Pa lekë. Kohë pune për të shkruar tekste? Pa lekë. Subvencionime për vajtje në konferenca shkencore? E pamundur. Ka të drejtë universiteti publik të japë shpërblime për pedagogë të dalluar në punën e tyre cilësore? Asgjë nuk thuhet. E palejueshme! Ka të drejtë universiteti publik të paguajë konferenca shkencore jashtë vendit dhe kërkime shkencore? Asgjë nuk thuhet. Aktualisht as lekë për një kumtesë nuk jep. Vetëm tendera për ndonjë drekë si festë funebre! Ka të drejtë universiteti publik të marrë hua në banka brenda dhe jashtë vendit? Asgjë nuk thuhet. Ka të drejtë universiteti publik të hapë aktivitete ekonomike jashtëarsimore, për të nxjerrë fonde për rritjen e cilësisë të tij? Asgjë nuk thuhet. Ndëshkohet, sepse nuk lejohet; Ka të drejtë universiteti publik t’i adaptojë brenda semestrit programe të veta mësimore, me qëllim që të adaptohet në tregun e punës? Jo. Duhet të presë kur t’u teket agjencive burokratike. Ja pse e kanë kthyer universitetin publik si një punishte mesjetare jashtë logjikës të tregut, si kolkoz sovjetik, si agjenci feudale, ndërkohë që universiteteve private u lejohet gjithçka. Kemi një goditje të qëllimshme të publikes kundër privates.
9. Pengon rinovimin e programeve mësimore dhe ndërhyn edhe në përmbajtjen e lëndëve, përderisa edhe në rinovimin e programeve mësimore mbi 20% kërkon autorizimin e ministrit të Arsimit, pasi kalon një sërë hallkash të kota.
10. Ndërton një mekanizëm të padobishëm dhe arbitrar për titujt “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar” duke ia lënë kompetencën e vlerësimit një komisioni të përhershëm të senatit, të zgjedhur pa specifikime shkencore dhe pa profilizime, duke ia lënë këta tituj vetëm vlerësimit të brendshëm të çdo universiteti që e liberalizon dhe e nxjerr jashtë loje seleksionimin e vlerave si edhe mobilitetin profesoral mbarëkombëtar.
11. Ngatërrohet vendi i punës “Profesor” me titullin shkencor “Profesor”, duke i quajtur me të njëjtin emër. U heq kompetencat kolektive profesorëve, që nëpërmjet këshillit të tyre të drejtojnë jetën shkencore të fakulteteve.
12. Nuk specifikohet se cila është instanca që shpërndan grantin për fusha të ndryshme të shkencës, mësimdhënies, kërkim¬zhvillimit etj.
13. Nuk njeh dhe parashikon mësimin në distancë dhe në internet.
14. Nuk specifikon se cili është sistemi i vlerësimit (notave) në arsimin universitar, duke ditur se sistemi aktual është burim parazitizmi dhe korrupsioni.
15. Të drejtat demokratike të pedagogëve dhe studentëve anashkalohen tërësisht dhe nuk artikulohen as të drejtat bazë që njeh përvoja demokratike. ¬ Nuk përmendet autonomia territoriale, pra mosfutja e policisë pa lejen e autoriteteve. ¬ Nuk sigurohet pavarësia e pedagogut për lirinë e mësimdhënies dhe të rezultateve të kërkimit shkencor. Nuk përmendet fare. ¬ Nuk jepen kriteret bazë të laicitetit, antidiskriminimit, antiracizmit në përmbajtje dhe formë të veprimtarisë universitare. ¬ Pedagogët nuk kanë të drejtën të organizohen në sindikata ose shoqata që mbrojnë interesat e tyre. Nuk parashikohet roli i sindikatave në vendimmarrjen universitare. ¬ Nuk ka pozicionim kundër politizimit të procesit mësimor të drejtuesve të universiteteve dhe fakulteteve. ¬ Nuk zhvillohen sa duhet liritë studentore: e drejta e studentit për t’u informuar, për këshillimin profesional, për t’u njohur me financat e institucionit, për të qenë bashkëpjesëmarrës në ndërtimin e kurrikulave që ndjek (zgjedhjet opsionale), për t’u zhvendosur në kuadrin e projekteve europiane, për t’u regjistruar në disa programe mësimore, për t’u regjistruar te profesori i lëndës pavarësisht fakultetit etj. Nuk detyron universitetet të ndjekin studentët pas mbarimit të studimeve për të ndihmuar integrimin profesional të tyre.
16. Nuk parashikon formim teorik të përbashkët në shkollën doktorale duke e individualizuar atë, çka bie ndesh me atë që kërkimi shkencor bëhet në grup e në grupe komunitare kërkuesish. Mbështet një koncept individualist dhe monologist të kërkimit shkencor, çka është tërësisht i tejkaluar nga koha.
17. Fut arbitrarisht konceptin e «masterit ekzekutiv», që është krejtësisht i palegjitimuar që të jetë i ciklit të tretë, nuk specifikohet nga masterat e tjerë dhe nuk tregohet dobia dhe qëllimi i tij.
18. Krijon privilegje antidemokratike, sikurse është pozita e “themeluesit” në institucionet publike të pavarura, ku “themeluesit” i rezervohen të drejta të palegjitimuara që e bëjnë të kontrollojë pa meritë, por me status të privilegjuar, institucionin që kthehet në publik. Për herë të parë në juridiksionin shqiptar të tranzicionit njihen privilegje personale në hapësirën e institucioneve publike. Kur dihet se sistemi i privilegjeve ka rënë qysh natën e 4 gushtit 1789 në Francë. Nuk krijon asnjë kontroll të publikut dhe studentëve mbi universitetet private.
19. Fut brenda ligjit e kërkon të normativizojë edhe një organizatë joqeveritare, sikurse është “konferenca e rektorëve”, pa i dhënë normativisht asnjë kompetencë.
20. Marrja e kredive studentore për të cilën flitet në ligj, është e rrezikshme shoqërisht, është krejt formale, sepse nuk detyron asnjë institucion bankar të japë kredi. I detyron studentët të futen në borxhe qysh në fillim të jetës, pa pasur asnjë mundësi t’i lajnë ato, në kushtet e një papunësie të lartë intelektuale.
21. Nuk tregon dhe kërkon se cilat janë tipologjitë e statuseve profesionale që duhet të mundësojnë diplomat universitare duke i hapur rrugë një dijeje universitare ideologjike, përshkruese, thjesht abstrakte dhe pa lidhje me tregun e punës. Aktualisht papunësia e të diplomuarve qëndron në faktin se nuk ka asnjë korrespondencë parimore dhe qoftë në planin strategjik vetëm midis profesioneve dhe vendeve të punës në profesionet e caktuara, sidomos në sektorin publik, dhe profileve të diplomimit në nivelin e studimeve universitare. Diplomat dhe profilet e diplomimit akreditohen jashtë dimensionit profesional ku ata priten të çojnë dhe jashtë çdo transparence e parashikimi për nevojat e tregut të punës në fushat përkatëse.
22. Nuk krijon mekanizma që mundësojnë “rregullarizimin” e dijes brenda shoqërisë, nuk afirmon parime të meritokracisë në punësim, nuk detyron që vendet e punës të administratës publike të jenë të hapura ndaj meritokracisë në shkollë etj.
23. Nuk thotë asgjë për llojet e kritereve që masin cilësinë e arsimit të lartë dhe performancën e institucioneve arsimore duke lënë të nënkuptohen që kriteret e tanishme, krejtësisht korruptive dhe imbecile, do të vazhdojnë të drejtojnë arsimin universitar shqiptar.
24. Nuk parashikon si struktura të universiteteve konvikte, biblioteka, mensa, qendra dokumentare, qendra shëndetësore, shërbim psikologjik, vende pushimi, atelie stazhesh, pra qendra shërbimesh sociale.

(d.d/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: