Task Forca Antikorrupsion ka kryer gjatë javës së kaluar kontroll në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Rajoni Jugor- Fier lidhur me respektimin e kërkesave ligjore nga ana e subjekteve ekonomike si dhe të punonjësve të padeklaruar në organin tatimor.

Gjatë kontrollit u konstatuan shkelje të ndryshme, ndërkohë që u ndërmorën 24 masa disiplinore për drejtues dhe inspektorë të kësaj drejtorie.

“Aktet e konstatimet janë mbajtur vetëm në tatimpagues me biznes të vogël. Aktet e konstatimi të cilat janë shoqëruar me kupon tatimor lëshuar në një orar i cili nuk përputhet me orën e përfundimit të mbajtjes së vetë aktit. Aktet e konstatimi të nënshkruara nga vetë inspektorët të cilët nuk rezultojnë në listën e pjesëmarrësve në inspektim, sipas urdhrit të shërbimit përkatës apo mospërputhje ndërmjet referencës të parashikuar në kuadrin ligjor dhe vlerës së gjobës së pasqyruar në proces verbalet e gjobës. Nisur nga shkeljet e konstatuara, Task Forca Antikorrupsion ka rekomanduar 24 masa disiplinore për drejtues dhe inspektorë të kësaj drejtorie”, tha gjatë fjalës së saj ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Sipas saj janë lëshuar 12 vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për Drejtorin e Drejtorisë së Hetimit Tatimor, Rajoni Jugor-Fier, si dhe për 10 inspektorët e Sektorit të zbatimit, si dhe për Përgjegjësin e Sektorit të zbatimit.

“Janë rekomanduar gjithashtu: 12 Vërejtje me shkrim për inspektorët e zbatimit, të kesaj Drejtorie.
Gjithashtu bazuar në një denoncim të ardhur pranë Platformës së Bashkëqeverisjes, me objekt denoncimin e legalizimit një shtesë anësore të një pallati shumëkatësh pranë stadiumit “Flamurtari” – Vlorë, grupi i kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion ka kryer gjatë javës së kaluar inspektim administrativ në Drejtorinë Rajonale të Aluizni-t, Vlorë dhe Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.

Në përfundim të këtij hetimi janë rekomanduar 3 masa disiplinore “Largim nga puna” për:
Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t, Vlorë;
Përgjegjësin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë;
Specialistin e Sektorit të Legalizimeve, Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t, Vlorë;
Janë rekomanduar këto masa pasi është konstatuar se nuk kanë respektuar procedurat dhe kërkesat e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi lidhur me mbledhjen dhe administrimin e dokumentacionit tekniko-ligjor të nevojshëm, në marrjen e vendimit të kualifikimit dhe emetimin e lejes së legalizimit sipas kuadrit ligjor për një objekt shtesë pa leje në objekt ekzistues.
Saktësisht nuk janë marrë parasysh përcaktimet e Ligjit “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, duke legalizuar shtesë në një objekt ekzistues, duke cënuar vëllimin ose pamjen e jashtme të murit mesjetar të Kalasë së Skelës.

Në të njëjtën kohë nga strukturat kundër korrupsionit në Policinë e Shtetit, gjatë javës së kaluar janë evidentuar 13 vepra penale në fushën e korrupsionit dhe janë proceduar penalisht 33 autorë, prej tyre janë arrestuar dhe ndaluar: 10 autor, ndërsa 23 të tjerë po gjykohen ne gjendje të lirë.
Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit dhe Drejtoria Qendrore e Hetimit, janë kryer veprimet hetimore dhe janë referuar në Prokurori, veprat penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, etj. Rezultatet e vazhdueshme të angazhimit të strukturave antikorrupsion dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese janë tashmë të prekshme nga të gjithë qytetarët.

Bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me qytetarët nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes, reagimi i menjëhershëm ndaj çdo denoncimi apo ankese ligjore, po rrit gjithnjë e më shumë numrin e denoncimeve të rasteve konkrete duke e bërë dhe më efektive punën e strukturave antikorrupsion.
Ndaj do të vazhdojmë me këmbëngulje, dhe besim, që të ftojmë të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj beteje të madhe, për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, përmes denoncimeve dhe informacioneve të tyre në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.”, tha ministrja.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb