TIRANË- Partia Demokratike dhe drejtuesit më të lartë të saj, përfaqësues të Grupimit “Dhjetor 90”, kanë organizuar sot në selinë e PD-së një takim të përbashkët, ku vendosën krijimin e Komisionit Organizator Kombëtar të Veprimtarive Përkujtimore që do të organizohen në përkujtim të 25 vjetorit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90 dhe themelimit të PD-së.

Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për medita bën me dije synimin e kësaj nisme, duke shpjeguar se “Kjo nisme synon të risjellë në kujtesën e shoqërisë shqiptare momentet dhe mesazhet kryesore të ndryshimit historik të Shqipërisë, rrëzimit të komunizmit, nisjes së rrugës së lirisë dhe demokracisë për vendin tonë. 25 vjetori i Lëvizjes Studentore, që u finalizua me legalizimin e pluralizmit politik dhe me lindjen e Partisë Demokratike, do të jetë një moment i bashkimit të të gjithë protagonistëve të atyre ditëve historike, ku çdo qytetar protagonist qendror dhe periferik do ta ndjejë veten pjesë të atij ndryshimi të madh që ndau Shqipërinë nga diktatura më e egër e lindjes komuniste dhe e orientoi vendin drejt vlerave të lirisë, drejt Europës”.

“Pjesë e këtij komisioni të përbashkët do të jenë organizatorë dhe drejtues të Levizjes Studentore, ish-studentë, pedagogë, intelektualë dhe qytetarë të Tiranës, themelues të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Komisioni Organizator, në mbledhjen e tij të parë, do të hartojë dhe bëj publik kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen në qytetet kryesore të Shqipërisë, për të kulmuar me 8 dhjetor (Ditën Kombëtare të Rinisë) dhe 11 Dhjetor (ditën e themelimit te Partisë Demokratike) në Tiranë”, thuhet në njoftimin për media të PD-së.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: