KOSOVË- Filmi kosovar “Burrneshat” me regji të regjisores italiane Laura Bispuri dhe skenar të Laura Bispurit dhe Francesca Manierit do të jepet premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Berlinit, i cilido të mbahet më 12 shkurt.
Ky film i metrazhit të gjatë do të jetë në konkurrencë zyrtare për “Ariun e Artë” në festivalin e madh Berlinale, i cili do të mbahet prej 5 -15 shkurt 2015 në Berlin.

“Burrneshat” është filmi i parë i mbështetur nga QKK që hyn në konkurrencë zyrtare në Berlinale, ndërsa pritet që në tapetin e kuq të këtij festivali këtë vit të parakalojnë edhe aktorët kosovar Luan Jaha dhe Ilire Vinca Çelaj, pjesë e këtij filmi.

Sipas një njoftimi të Qendrës Kinematografike, filmi është i mbështetur në romanin e Elvira Dones “Hana” dhe flet për Hana Doda e cila ende një vajzë e vogël, braktis fatin e saj për të qenë thjesht një bashkëshorte dhe shërbëtore, e ardhme e detyruar kjo pёr gratë në malet e ashpra të Shqipërisë.

Nё rolin kryesor luan aktorja Italiane Alba Rohrëacher e cila nё katёr festivalet e fundit nё Venecia ka fituar tre herё si aktorja mё e mirё, dhe nё karrierёn e saj numëron mbi 20 çmime tё rёndёsishme ndёrkombёtare.

Në rolet tjera janë aktorët shqiptar si Flonja Kodheli e cila ka luajtur në filmin francez “Jashtë Mureve”, në “Amsterdam Express” si dhe në rolin kryesor në filmin “Bota” pastaj luan edhe aktori Bruno Shllaku i njohur për filmat “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjaku i Arbrit” etj.

Ky film ka në kastë edhe aktorët e famshëm kosovar Luan Jaha dhe Ilire Vinca Çelaj.

Filmi “Burrneshat” është bashkëprodhim i Italisë (Vivo Film, Colorado Film Production), Kosovës (Era Film), Shqipërisë (Era Film), Zvicrës (Bord Cadre Film), Gjermanisë (Match Factory). Është i financuar nga Ministria e Kulturës në Itali, Qendra Kinematografike e Kosovës, Euroimages dhe nga Media Programme (Komuniteti Europian). I mbështetur nga televizionet RSI (Radio Televizioni Zviceran) dhe RAI CINEMA (Radio Televizioni Italian).
(a.h/kosovapress/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: