Fitimi i derbit me Dinamon dhe ruajtja e pathyeshmërisë me trajnerin Veselinoviç e kanë shtuar besimin te Partizani për të pasur të njëjtën ecuri, të paktën deri në fund të këtij viti. Ndërprerja e kampionatit për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare i ka vlejtur Partizanit, kryesisht në riaftësimin e lojtarëve me probleme dëmtimesh, si dhe të atyre që vinin pas fazës së rikuperimit.

Ndaj Laçit, të kuqtë do të jenë më të plotë dhe në formë, ku priten rikthime titullarësh. Mbrojtja mendohet të jetë më e plotë, ku Andi Hadroj parashikohet titullar. Për shkak të probleme që ka kaluar është përdorur shumë pak gjatë javëve të fundit. 25-vjeçari pukjan është përfaqësuesi i vetëm i Superiores në ekipin Kombëtar dhe gjatë kësaj periudhe grumbullimi me kuqezinjtë mbrojtësi i Partizanit është përgatitur normalisht dhe pa asnjë problem.

Padyshim, gjendja e Hadrojt është një lajm i mirë për trajnerin Veselinoviç, pasi i kthehet një nga shtyllat e mbrojtjes për ndeshjen e radhës me Laçin. Me rikthimin e mbrojtësit të Kombëtares, Partizani shkon në normalitet në fazën difensive. Në disa ndeshje kanë eksperimentuar në të djathtë, ku është sakrifikuar Altin Bytyçi. Edhe Buxhelaj duket se e ka lënë pas dëmtimit dhe kjo u vërejt edhe në derbin me Dinamon, ku ai e nisi si titullar.

Gjatë kësaj periudhe ndërprerje, Buxhelaj por edhe lojtarët e tjerë që kanë ardhur nga dëmtimi, kanë pasur kohën e nevojshme për të kapur parametrat optimalë. Me rikthimin e Hadrojt i jepet kohë rikuperimi edhe Bytyçit, i cili u lëndua ndaj Dinamos. Me këtë përmirësim situata parashikohet që ndaj Laçit mbrojtja e Partizanit të kthehet në normalitet, ku Buxhelaj dhe Hadroj do të rreshtohen në krahë, ndërsa Preka me Sembenen do të formojnë dyshen e qendrës.

GJERGJI KOTE- Trajneri Veselinoviç i befasoi të gjithë në derbin ndaj Dinamos, ku preferoi Gjergji Koten si titullar në mesfushë, duke ditur që Mehmeti dhe Ismaili ishin të dëmtuar, ndërsa Taipi sapo është rikthyer nga faza riaftësuese. 20-vjeçari, me paraqitjen e tij, po i bind të gjithë, aq sa trajneri Veselinoviç e konsideroi si një diamant në radhët e “demave”.

Kote ka qenë i grumbulluar së fundmi me kombëtaren U21 dhe ka qenë në titullar në dy ndeshjet miqësore ndaj Moldavisë. Ai ka pasur një aktivizim identik, 77 minuta për takim. Kote bashkohet sot me të kuqtë në stërvitje dhe rikthehet pa probleme. Dje të ekipi ka vijuar me një program stërvitor me dy seanca.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb