KOSOVË- Një 26-vjeçar nga Prishtina, vitin e kaluar ishte nisur drejt shtetit të Gjermanisë, si shumë bashkëmoshatarë të tij. Por para pak ditësh, Meriton Morina, është kthyer sërish në Prishtinë, me insistimin e familjarëve të tij, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, raporton KTV.


Ai është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet për një infeksion të mundshëm të trurit dhe pezmatim të enëve të gjakut. Nga Aeroporti i Prishtinës, ai është dërguar në QKUK, fillimisht për më shumë se një javë në Klinikën Infektive, ku gjendja e tij ishte përkeqësuar.


Infektologu Shemsedin Dreshaj shprehet se Morina është duke marrë trajtimin mjekësor që do të kishte marrë në secilin shtet, ndersa edhe familja e tij, konfirmon gatishmërinë dhe kujdesin e stafit të QKU-së.


Tani, në gjendje pak më të qëndrueshme, ndodhet i shtrirë në dhomën e kujdesit intensiv, në Klinikën e Neurologjisë.

Familja e Meriton Morinës ka shprehur dëshpërimin e tyre për siç thonë, moskujdesin e treguar ndaj djalit të tyre nga autoritetet mjekësore gjermane, ndersa kanë filluar të interesohen për mundësitë që ta dërgojnë jashtë vendit për shërim.

(m.k/BalkanWeb)