Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, ka folur në prag të ndeshjes që të kuqtë do të luajnë me Elbasanin.

 

Tekniku serb ka treguar se dy lojtarë do të mungojnë, pa zbuluar emra. Në anën tjetër ka anashkaluar pyetjen për shortin e kualifikueseve të Botërorit, që vendosi përballë Shqipërinë me Serbinë.

Veselinoviç tha se persona të tjerë duhet ta komentojnë, ndërsa ai është trajner i Partizanit.

Elbasani kundërshtari radhës, si e prisni këtë takim-

Veselinovic: Nuk është se kemi shumë kohë të mendojmë për ato që kemi kaluar. Jam i sigurt që do të jetë një ndeshje me shumë interes, e fortë dhe e vështirë. E kemi përgatitur skuadrën si gjithmonë. Kemi për të zhvilluar tani edhe seancën e fundit stërvitore dhe do të shohim kush do të jetë gati. Jo me të gjithë lojtarët është situatë e qartë kush do të jetë i gatshëm për nesër. Në përfundim të seancës së sotme do të marrim edhe përgjigjet e duhura.

Kush prej lojtarëve pritet të mungojë –

Veselinovic: Eshtë e vështirë për mua ta them, përpiquni të më kuptoni. Jam i sigurtë që dy lojtarë nesër nuk do të luajnë. Përpiquni të më respektoni mua, punën time dhe unë përpiqem të jem serioz dhe t’ju respektoj ju. Mendoj që nuk është korrekte në punën tonë që tju zbuloj emra, por e theksoj që për nesër dy lojtarë nuk do ti kemi në dispozicion.

Ndryshimi i trajnerit të Elbasanit nga Bordin te Gvozdenovic –

Veselinovic: Çdo trajner ka ide të ndryshme. Bordin kishte idetë e tij të qarta , po ashtu e njëjta gjë edhe për Gvozdenovic nga periudha që ka punuar te Skënderbeu dhe tani te Elbasani ka idetë e tij. Prej dy javësh Gvozdenovic ka marrë Elbasanin, por ne kemi detyrat, punët dhe obligimet tona, ndaj nuk kam shumë hapësirë dhe kohë të mendoj për ata.

Merkato –

Veselinovic: Së pari tani nuk kemi kohë të mendojmë për merkaton. Kemi si detyrë të përgatitemi maksimalisht për dy ndeshjet e fundit të vitit. Normalisht që të gjithë njerëzit që punojnë në klub mendojnë për të ardhmen. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që vitin që vjen nuk do të mund të zhvillojmë fazë përgatitore. Eshtë një temë specifike pasi siç e dini në 11 Janar do të luajmë ndeshjen e parë, më pas luajmë me Apoloninë në kupë dhe pas 3 ditësh ndaj Teutës. Për një javë luajmë 3 ndeshje plus faktit që nuk kemi kohë për përgatitje. Ka shumë tema, kush do të largohet , kush do të qëndrojë, kush do të vij. Ne momentalisht jemi të fokusuar totalisht te ndeshja e nesërme sepse do të jetë një ndeshje e vështirë.

Komenti juaj për shortin e kualifikueseve të Botërorit 2026 –

Veselinovic: Unë jam pjesë e Partizanit dhe jam i fokusuar tëresisht vetem te Partizani. Mendoj që Shqipëria dhe Serbia ka njerëz shumë të zgjuar, që mund të japin edhe përgjigje më të zgjuara se unë. Mendoj që është shumë e zgjuar nga ana ime të flas vetëm për atë që më takon, për ekipin tim. Personat që janë kompetentë për shortin ata duhet të flasin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb