Nga Dom Zef Simon
Pjesa e shtatë
Nuk kishte nevojë me pushtue toka si sulltanët. Ishte i shujtuem në një fanatizëm gjaksuer, që nuk e lente kurr me mendue, por vetëm me veprue e me i sha zanit me një bërtitje të madhe, për të qenë tellalli i ferrit. E shkonte e rëmonte handraqet e Shqipnisë e, i grumbullonte afër vetes e mandej si një pleh që i duhet tokës, i shpërndante pa masë, pa shkencën e virtytit. E, për të lëvdue veten e, për të sha tjerët, e programoi landën në kokën e vet. Shan gjithçka: individë të mirë që kanë hapsinat e mendjes e mirësitë e zemrës, shan klasa, shtete, fuqi të mëdha, realitetet ma të bukurat e, i duel punë edhe me Qiellin qe asht mbi të gjitha kontingjencat. I duel punë me Absolutin. Dukej vazhdimisht kjo figurë që kishte shumë punë, e mbushun me telashet e trillet e sukseve të tij. Pa biseda, por dhanie urdhnash që lëshonte njeni mbas tjetrit, si zhgjetat në luftat e vjetra e bombardimet në të rejat, bante gjithçka për të shfrye e tërbohej ky që nuk donte asnjë kundërshtim, cilësi e njerëzve të pasioneve negative.
ADVERTISEMENT
Kishte pak kohë për të ndejë vetëm. Jo ajo kohë që u duhej dy kategori njerëzve e, këto janë shejtënt e gjenitë, por ajo kohë që u duhet edhe atyne që punojnë kundër ndërgjegjes. Një vetmi e shkurtë, e bante për të pasë gjithçka të veten: kishte lindë për të ba hatanë. Për të mos u ngatërrue, se i duhet një farë justifikimi, ndoshta edhe karshi vetëvetes, gjanat i ndante në të mira e, në të këqija. “Shkenca, – thonte, asht e mirë. Ashtu edhe puna”. Por me punue, idetë e tij nuk kontrollohen, kurse të tjerëve, pa asnjë përjashtim. Kundërshtime, të çfarëdo lloji, nuk pranonte. Hiqte kokat. “Kush e ka lanë mbrapa atdhenë?, – thonte. – Kush do ta rregullojë? Unë”! Cilat janë shkaqet, burimet? Cili asht realiteti objektiv? Enveri po bante punë të madhe, po luente themelet e realitetit, tue futë të zezën e dhunës e tue shndërrue gjithçka në anmiqësi zemrake, por që jeta e diktaturës, e bante këte me u gëzue, se po dallohej edhe si vegla e laikut të Qiellit, në këte terren tokësuer.
Mbasi kishte levdue ma se njëzet vjet, dyzet meshtarë të vdekun katolikë, tue fillue nga Buzuku e deri te Gjeçovi, në atë mënyrën e vet që, po t’i kishte pasë gjallë, do t’ia bante ma zi se atyne të cilëve ia këputi krenat, tue ra si ujku ndër dele. Tue pasë shkencën si formë e punën sistem robnie, ky burrë i thashethemeve, i dasive, po hapte pranverën në qiellin e vet, ky idhull i klikave që po bante lter veten, ky vëlla i madh i Neronit, Dioklecianit, i Saadit, i Leninit, Stalinit, i Mao Ce Dunit, Pol Potiti Fidel Kastros e, i sa tjerëve që kanë pi gjak popujsh, ruejti ditën e 6 shkurtit 1967, që do të përmendte në fjalimin e vet dekret, tue çue kokën përpjetë: “T’u qepemi maleve e kodrave…”!
E vazhdoi fjalët: aksione, popull, rini revolucionare, limoj, portokalla, ullij, rivierë, bahçe me lule, si në një parais panteist. Kjo ishte linja e parë që kishte lidhje me këte shkencë e me këte punë. E dyta linjë: një lajm i stuhishëm, tue nxjerrë nga goja me stërpikje, me jarg e pasion, fjalët: “Luftë kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare”. Asgja një herë ma tepër: një shkëndijë. Një shkëndijë e vogël diktature, që çon peshë një zjarr të madh. Punë e mbrapshtë e tij, lidhje e keqe kineze, revolucion i tërbuem kultura! Majmunërie me citate, shirita, me hove të çmendurish. Kësaj Shqipnie i ndërroheshin qiellët: kristianizëm, islamizëm, ateizëm. Qiellë ateiste e në këte tokë. Shteti i parë ateist në botë. Tokë që e mbrapshtoi Enveri, ajër që flliqi goja e tij.
Revolucioni Kultural (15 shkurt 1967)
Data 15 shkurt 1967, asht ajo e fillimit të Revolucionit në Shkodër e, në të gjithë Shqipninë. Ora 10°° të paraditës, u mbushën vendet e afishimit e kudo nepër rruga, me shpallje të mëdha. Grupe të rijsh e të rejash, tue pasë ndër duer tabakë të bamë gyp, brusha e enë me qirish për ngjitje, kah ora 12°º, u afrohen Katedraleds, Kishës Françeskane të Gjuhadolit, të gjitha kishave e xhamive të qytetit, i hapën fletët që titulloheshin “Fletë-rrufe” (në gjasim të daci- baove kineze) dhe i vunë nëpër dyert e kishave. Ishin të mbushuna me termat e kohës, me frazat e preme të përmbajtjes e të stilit trashanik diabolic, kundër fesë. “Ka luejtë rol reaksionar feja, asht qendra e obskurantizmit Vatikani”, ishin fjalët e fletëve e të pushtetit. Në ato shkruhej: “Klerikë! Populli ju ban thirrje të dorëzoni kishat e qelat e, gjithçka. Mjaft keni gënjye. Përqafoni punën e fitoni bukën me djersë të ballit. Mjaft keni jetue me mashtrim. Populli nuk ju do. Rinia nuk ju do”!
ADVERTISEMENT
Unë gjindesha në zyrë e prej dritarës së madhe, shihsha grupe të rijsh e të rejash te dera e kishës që ishte e mbyllun dhe pak njerëz që ishin afrue, për t’i lexue. Njerëzit vijshin tue u shtue. Monsinjori që menjëherë e mori vesh këte lëvizje, qetë dhe i ekuilibruem, me shumë seriozitet, shihte rrezikun e madh.
Ipeshkvi, randue sytë nën gjyslykët e zez që kishte, duket se largoi çdo fantazi e u ba ma konkret se asnjëherë e, prej orës në orë, priste kur mund të vijshin grupe, me hy në Argjipeshkvi, nëpër dhoma, me shkelë figure e kryqa, se një ças në këte rrethanë, nuk i ngjan një tjetri. Ajo çka mund të mendohej të vinte edhe këtu, erdhi e prej shtetit ma të madh në botë, Kinës, kalohej në atë ma të voglin, në Shqipninë kineze, për të jetue si dy shtete të marrisë së botës e të shekujve. Stuhia e shtërngata kishte fillue. Lagjet, fshatet, çdo fshat, qytetet, kryeqyteti u tërbuen me idhninë e klasës kundër fesë, kundër zakoneve, të quajtuna prapanike e mbeturinave fetare. Ishte një kontradiktë e një vijë partie. Klerikët vijshin nga fshatet e malësinat, e lajmojshin se na nxorën nga famullitë: nxjerrje me furi. Monsinjori, a mund të bante një punë?
A mund të lëshonte një qarkore dhe të lexohej në pulpitot e kishave, tue thanë se populli e do besimin, se asht një frekuentim i madh nga ana e besimtarëve, me gjithë pengesat që u qitën, se religjioni asht i mbrojtun me kushtetutë e, se asht i përfshirë në “Deklaraten e madhe të të Drejtave të Njeriut”. Kjo u gjykue nga Monsinjori e, parezultat. Revolucioni nuk merr parasysh të drejta. Monsinjori kërkoi një takim zyrtar në Kryeministri. Telefoni nuk jepte përgjigje. Kërkoi disa herë takim. Telefonat nuk përgjigjeshin. Të diellën e afërme, Mesha famullitare e orës 10º°, nuk thohet. Asht dhanë urdhën, me e mbyllë Katedralen. Bahet një mbledhje e gjanë me popull, te “Ndërrmarrja e ujnave”, që do të jetë e tërbueme, tue pasë thirrë aty dhe Monsinjor Ernesto Çobën dhe ndihmës famullitarët e Shkodrës, Dom Mark Hasin e Dom Kolë Shkozën.
Predku që do të bante Monsinjori në Meshën e orës 10°°, doli ma i bukur, se mbrojti me guxim e qartësi Zotin e Kishën. Mbasdite hapet Kisha e Madhe. Në kishë vjen shumë popull. I rren uzdaja njerëzit, sidomos popullin, se nuk do t’i mbyllin kishat. Por jo. Ditët randohen, vështirësohen edhe fletë-rrufetë e ndryshme dhe mbledhjet, kudo në Shqipni, e sidomos në Shkodër, janë të pandame. Një paradite të atyne ditëve me zhurmë e frikë e përcjelli Monsinjorin në Komitet Ekzekutiv. Këtu kishin thirrë edhe provincialin P. Agustin Ashikun. I lajmojnë që të lirojnë dhomat e Kuvendit, tue mbetë vetëm dy. Kuvendi do të kalojë në duert e shtetit e të dikiaturës.
Sekuestrimi i Arqipeshkvisë (26 shkurt 1967)
Në këte ndërkohë në Pallatin Argjipeshkvnuer kishte ardhë një komision prej 15 vetësh, i Komitetit Ekzekutiv. Ndër këta edhe oficerë të Sigurimit të Shtetit. Me shpejtësi kërkojnë çilësat e dhomave. Fjalët e tyne të preme, janë këto: “Arqipeshkvija do të jetë për nevojat e popullit. Mbasdite do të vini”, – u qe thanë meshtarëve që banojshin në Argjipeshkvi, – për të marrë materialet e do të çohen te Kuvendi i Françeskanëve te ‘Arra e Madhe’”. Ndër ata të Komisionit, ka edhe ndonjë katolik. Kryetari i komisionit, asht katolik. Tue qenë se asht revolucion kultural, e kryeson përgjegjësi i arsimit. Të bajtunit : materialit të Argjipeshkvisë, vazhdoi me kamiona dy ditë, nga data 24 shkurt, deri me 26. Lëshohen nëpër disa dhoma, mbarë e mbrapshtë. Monsinjori ka një zyrë dosido. Asht një dhomë e pështjellueme, pa suazat e Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut.
Mbledhjet në qytete, fshate e malësi, vazhdojnë të jenë fort idhëta. Ka britma, konfuzion e frikë. Mbi të gjitha, zonet të çjerrëta. “Kisha, kleri, feja, ka shfrytëzue popullin, e ka lanë mbrapa, lanë në errësinë. Na nuk i duem ata”!
Monsinjori shkonte çdo ditë, nade e mbasdite, me celebrue meshën. Vetëm një sy i hidhte Pallatit Argjipeshkvnuer. Të shtunden mbrama, mbasi mbaroi funksionin, Monsinjorin e lajmuen, se do të mbyllet Kisha e Madhe shpejt, tani. “Merrni gjanat kryesore. Kisha do të shndërrohet në muze”. Dom Mark Hasi, që ishte në funksion me Monsinjorin, do të merrte pa tjetër Osten Eukaristike prej Tabernakullit. Doli Krishti nga Kisha e vet e njerëzit delshin nga kisha kryeulët, pa folë e të pikëlluem. Morën çilësat dhe në Katedrale, siellen nëpër lterë e kushedi çka flasin, dhunuesit e fanatikët.
Mbyllja e Kishës Katedrale (18 mars 1967)
Mbas mbylljes së Kishës Katedrale, vijshin lajme se të gjitha kishat do të mbylleshin. Njerëzit mësyjshin Kishën Françeskane të Gjuhadolit. Popull i madh e fshatarë, janë në të gjitha meshët. Eja e merre vesh, se çka po ndodhte. Thonin se populli kërkon mbylljen e kishave e, kishat mbusheshin me popull. Me qinda biçikleta të fshatarëve, gjindeshin para sheshit të Kishës Françeskane të Gjuhadolit dhe të asaj të Zojës Rruxare, te “Arra e Madhe”. Lëvizje të mëdha gjithkah. Mbledhje të quejtuna popullore, ditën e mbramje, për të mbyllë kishat e në anën tjetër, burra, gra, popull i vërtetë, rini që thojshin: “Të kryejmë punë sa ma parë, të rrëfehemi, të marrini kungimin, se po shihet gjithçka e qartë”. Kjo ishte rezistenca. Kishte edhe prej atyne besimtarëve, që kishin qenë të ftohtë, indiferentë. Tash një vrapim i tyne, që u vjen nga pendimi, nga lotët, me të kjamë zemre!
ADVERTISEMENT
Tri ditët e fundit 16, 17, 18 mars, në Kishën e Zojës Rruxare, nxiret Ostja Eukaristike, për ta adhurue vetëm meshtarët që ishin shumë. Dita e fundit, kur do të mbyllet kisha e mbrame në qytet, ajo e Rruxare, e tmerroi qytetin. Ishte ditë e shtunde. Në zyrën e Frontit, para një komisioni, qenë thirrë një nga një, të gjithë klerikët. Kërkohej që meshtarët, t’i bijshin mohit zyrës së tyne meshtarake. Meshtarët ishin të gjithë në krye të detyrës. Edhe ndonjë që i kishte shërbye Frontit e, si rrjedhim pushtetit dhe organeve i thanë: “Këtu nuk jemi me ju”. Dom Kolec Tonin e mue, nuk na thirrën, se për ne nuk dihej zyrtarisht, se jemi meshtarë. Në këte mbasdite tepër të bukur natyrë e fort e dhimbshme, qenë marrë çilësat e kishës. Për Monsinjorin u mor një taksi dhe u përcuell, prej Padër David Picit, Dom Kolec Tonit dhe prej meje. E çojshin në shtëpinë e së motrës, Gjylianës. Rrugës ishte një popull i madh, që nuk e lente të kalojë e makinën me shpejtësi e, që e drejtonte me urti, një mysliman.
Sy të lotuem njerëzish, kërkojshin në ato çaste historike, t’u jept bekimin shejt. Në Kuvend kishte mbetë françeskani Padër Ciril Cani, 90 vjeç. Pa diejtë se çka ndodhte e, qante si fëmijë, tue kërkue ku ishin vëllaznit e tij fretën. Këta e çuen në një familje. Kjo ishte dita 18 mars, që na dha të nesërmën 19 marsin 1967, të paharruem në histori e në shekuj, ditën e Shën Jozefit, Pajtuer Kishës. Ditë pa u ndigjue asnjë tingull kumbone e, pa u pa porta e kishës e hapun. Ishte edhe e Diellja e Larit, Qahmet e mister, me ngjarje të forta në tokë.
Mbyllja e kishave e famullive (mars-shtator 1967)
Kishat mbylleshin në fshate e malësi, me të njajtën mënyrë e stil e, kudo me forcë partie që rrinte mbi krye, idhni të Organizatës së Frontit e, terror të Sigurimit Shtetit. Përdoreshin disa të organizatës së Rinisë, të quejtun revolucionarë e, asi njerëzish të mësuem tanë jetën me dredhi, që lëshojshin fjalë kundër klerit, tue thanë se; “Mjaft keni jetue në kurriz të popullit e, me gënjeshtrat e tueja”. Populli i terrorizuem, jetonte me dhimbje e lot. Famullitë u mbyllën brenda 23 javëve. Nga famullia e Beltojës dhe e Ashtës, morën dhe e larguan me shpejtësi, famullitarin, plakun e doktoruem, Dom Nikollë Shllaku. Këthehej në shtëpi të vet, në Shkodër dhe sëmue randë, vdiq shpejt, dhe u vorros në vorret e Rëmajve të Shkodrës.
Bushati kishte prift Dom Zef Gilën, i cili kishte mbarue studimet në Propoganda Fide të Romës. Furia e mbylljes së kishave në Dekanatin e Bushatit, kje shumë e shpejtë. Dom Mikel Beltoja, Prelati zelltar, trim dhe energjik i Barbullushit, do t’i kallëzonte pak ma vonë “Pushtetit Populluer”, se kush i mbylli kishat. “Jo populli, forca e partisë”. Dom Mikeli do të lëshohej në shërbime fetare, në shumë famulli, deri që mbas disa vjetëve, me punë të mira të tij, të fshehta e jo të fshehta, do të arrestohej e pushkatohej, për të qenë Hero e martir, luani i katundeve katolike. Katundi Juban, kishte si famullitar të vetin, meshtarin e dalluem në të gjithë virtytet, Dom Injac Gjokën. Atë ditë që u mbyll Kisha, pak njerëz kishin mbyllë sy atë natë. Por Dom Injacin, do ta gjejshin fshatarët e famullisë edhe të famullive të tjera në Shkodër, në një dhomë si burg, për të krye sa shërbime fetare. Dom Injaci, nuk muejte moralisht mos me i shërbye e, nuk do të donte kurrë me i braktisë besimtarët deri në vdekje, që i ngjau me 12 nanduer 1979.
Dom Marin Shkurti
Famullia e Stajkës me meshtarin e ri e puntuer për fe, Dom Marin Shkurtin, tregoi një gjallni. Kjo famulli, në një letër që i erdh Ipeshkvit të Shkodrës, Imzot Ernest Çobës, prej Këshillit të Kishës e të sa fshatrave të tjerë, kërkonte që të mos mbyllej Kisha, e ishin gati ta mbrojshin me çdo kusht. Kisha do të mbyllej se ishte plan, ishte revolucion. Dom Marini, mbas një vjete të shërbimit fetar, iku me krejt njerëzit e familjes, në Jugosllavi. Kje dorëzue në Shqipni e, mbas torturave të forta, u pushkatue, e katër vllaznit e tij, kjenë burgosë dhe gratë e tyne. Në Berdicë, në një famulli të haptë të Dioçezit të Shkodrës, punonte Dom Ndrekë Krroqi. Kje dëbue si të gjithë, tue qenë në krye grupe të rijsh e, njerëz që i kishte gati kurdoherë pushteti, e sidomos në atë fshat, që ishte kooperativa e bashkueme.
Dom Martin Trushi, Fronti merr Kishën e Dajçit (1963)
Në famullinë e Dajçit të Bregut të Bunës, ishte meshtari i zellshëm e i rregullt, Dom Martin Trushi. Kisha e Dajçit kje marrë nga Fronti me shkak, për nevojat e kooperativës, tue u ba magazine, në vjetin 1963, kur ishte famullitar Dom Mikel Beltoja. Në Dajç, ka pasë edhe një Kuvend Murgeshash Stigmatine, që kjenë dëbue herët nga Kuvendi, në vjetin 1952. Dom Martin Trushi, do të kthente në shtëpi, në Shkodër, tue u futë shpejt në Ndërmarrjen e Tullave, për të ba shërbime, deri në arrestimin e tij në vitin 1974.
Meshtari i “Frontit Demokratik”, Dom Prenk Nikçi, digjet në furrë!
Në zonën e Velipojës, bante shërbime pa pritesë, Dom Prenk Nikçi, një meshtar që ishte pjestar në Kryesinë e Përgjithshme të Frontit Demokratik në Tiranë. Kur u mbyllën kishat e institucionet fetare, kje thirrë në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, nga kryetari i saj, Bilal Parrnca, që patjetër e priti mirë dhe kërkoi prej tij, të dilte në një mbledhje të gjanë, për të demaskue fenë e punët e saj. Gjithashtu ta mohonte meshtarinë. I ulun në poltronë, në atë zyrë të punëve aq të fshehta, Prenka menjëherë ishte çue në kambë, tue thanë këto fjalë, se ashtu e kishte dhe natyrën: “Unë kam punue shumë për ju, deri tash, por në këto punë që jeni tue ba, unë nuk marr pjesë. Unë nuk flas kundër fesë, as nuk e mohoj detyrën time”.
Kjo dëshmi u muer vesht në qytet, qytete e fshatra. Mbas pak muejsh, e shtinë në një punë të randë, në gëlqeroren e Krujës. Nuk dihet si i ngjau, por Dom Prenka, u gjend i ramë mbrendë në furrën e ndezun. Ashtu dha shpirt, në ato mundime, si një meshtar i flijuem e, si një martir i shelbuem.
Konstandin Pistulli, një françeskan i matun dhe i përvujtë në detyrën famullitare, i larguem nga katundi i Kastratit, xuni vend me vëllaun françeskan Padër Shtjefnin, në shtëpinë ku rrinte vëllau i vogël i tyne, Zefi. Në një moshë pak të shtymë, kje detyrue të punonte me krahë, në fermën “Perlat Rexhepi”, në Shkodër. Kurse në famullinë e Shkrelit e të Bogës, shërbente meshtari i përpiktë, Dom Ndoc Volaj. Pater Robert Ashta, kishte zonën e Thethit e, të Malësisë së Madhe, me Selcë, Vukël e Vermosh. Në Vukël u mbyll Kisha të Diellën e Larit, si në Shkodër. Padër Roberti, i tha popullit fjalën e fundit e, arrijti me i dhanë disa spiegime, si mund të baheshin pagëzimet e, si të veheshin kunorët. Padër Benedikt Dema, kishte Bajzën e Kastratit, një qendër e randësishme e fesë së Krishtit. Kur u mbyll Kisha, me dhimbje e me ato forma si kudo, tue u vu fletë-rrufetë e, me ato shtabe të tërbueme të rijsh e ngatrrestarësh, Padër Benedikti erdhi në Shkodër te motra, Kuvendi ishte mbyllë krejtësisht.
Monsinjor Antonin Fishta dhe Padër Sebastian Deda
Në Dioçezin e Pultit të Dukagjinit, kishte mbetë Monsinjor Antonin Fishta, gati për krejt Dioqezin. Kje largue vetë para ndonjë vjete prej qendrës, që ishte në Kodër Shën Gjergji, e xanë vend të ri në Prekal. I ndihmonte në Dioqez Padër Sebastian Deda. Në ditët e marsit, pak dit mbas Pashkëve, erdhi dhe Monsinjori në Shkodër, te shtëpia e vllaut, Ndrekë Fishta, e mbas një vjete, vdiq rrugës nga infarkti, nësa delte nga Fusha e Remajit, me datën 21 kallnduer 1968. Famullitë e zellshme për fe, të Shkrelit e të Rragamit, u munduen të qendrojnë ma gjatë me famullitarin e dashtun të tyne, Dom Pjetër Grudën. Janë mbyllë pak ditë mbas Pashkëve. Dom Pjetri, do të punonte në Fermën e Bushatit me drejtësi e, do të arrestohej me dhunë. Do të vdiste në burgun e Sarandës, pak muaj para se të vinte liria e fesë, në vjetin 1990.
Atë Zef Pllumin, e larguen pak ditë përpara, nga Shoshi i Dukagjinit. Kështu edhe Mirdita, që kishte Ordinar të vetin, Monsinjor Lec Sahatçin, me qendër në Shmil, e të gjitha famullitë e saja, si me Dom Nikoll Lulin, që ishte në Fand, Dom Injac Demën, në Kthellë, Gëziq e Malaj e, Dom Prend Qefalinë, në Qafë Mali. Dom Anton Doçi, shërbente deri ditën e fundit në Gurëz të Kurbinit, fare pranë derdhjes së lumit Mat në det.
Ipeshkvi i Lezhës, Nikollë Troshani
Në Dioçezin e Lezhës, me Ordinar Ipeshvin, Nikollë Troshanin, i cili shërbente në Kallmet, Rraboshtë e Mërqi, do të kishte një sulm të veçantë. Mbyllja e kishës së Lezhës, me famullitar Pater Rrok Vatën, do të bahej me një organizim të djallëzuem, me 26 të marsit, ditën e Pashkëve.
Rrëzimi i kompanjelit të Kishës, Kuvendi Françeskan, Lezhë
Komiteti i Partisë së rrethit, tue qenë prezent sekretar partie të fshateve, Sigurimi i Shtetit, polici, organizata të masave, Fronti, nxanës të shkollave, shumë popull me detyrim, në oborrin e Kishës së Kuvendit Françeskanë, shpallën “Kuvendin e tre brezave të Lezhes”, tue lexue një vendim në emën të popullit, në 15 pika, që dojshin ta qitshin fare në atë të vetën, krejt besimin katolik, me meshtarë e besimtarë. Fill mbas këtij Kuvendi, atë ditë fillojshin aksionet e çmenduna, tue nisë me rrëzimin e kompanjelit të Kishës, që quhej e Dom Lleshit, kishë e lashtë françeskane, mbas ardhjes së Shën Françeskut në atë vend, në vjetin 1240.
U rrafshuen kishat nga një ditë në tjetrën, me sulm revolucionar kinez, ajo e Shën Gjergjit në Lezhë, e Shën Kollit në Kakarriq, e Shën Shtjefnit, në Blinisht, Kisha e Zojës Rruzare, në Dajç të Zadrimës, e Shën Gjonit, në Shën-Gjin. Disa kisha të tjera, u banë stalla e bagëtish, magazina e depo ushtarake. Kështu edhe e Shën-Ndout në Laç të Kurbinit, kishte pasë për disa vjet famullitar Padë Filip Mazrekun, që u ba famullitar i Troshanit të Zadrimës, për t’ia lëshue Laçin, Padër Mark Papës.