Nga Kastriot Dervishi
Demonstrata e heshtur u zhvillua në sheshin “Skënderbej” të Tiranës më 28 janar 1990. Është protesta e parë në kryeqytet kundër diktaturës komuniste, shenja e parë se edhe Shqipëria nuk mund të mos i bashkohej ngjarjeve në Europën Lindore. Meqë ngjarja u mor vesh disa më parë, Sigurimi i Shtetit ndaloi disa persona. Në një raport të Hetuesisë së Përgjithshme të datës 14.2.1990, thuhej se më 26.1.1990 nga Sigurimi i Shtetit u ndaluan 15 persona nga Tirana (në fakt 14 rezultojnë të shkruar) “për agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Të ndaluarit ishin:
1-Ardian Skëndo, 27 vjeç, ndihmësmjek në spitalin nr.2
2-Vasil Dhimitri, 36 vjeç, punëtor në kombinatin e autotraktorëve
3-Faruk Pica, 33 vjeç, punëtor
4-Zeqir Gollobani, 35 vjeç, elektricist
5-Shefki Glina, 33 vjeç, punëtor
6-Aleksandë Budo, 35 vjeç, ndihmësmjek
7-Nikolin Prifti, 35 vjeç, inxhinier mekanik
8-Romir Papa, 31 vjeç, i papunë
9-Dorjan Alla, 28 vjeç, infermier
10-Ilir Duro, 29 vjeç, mekanik
11-Enver Tomani, 38 vjeç, minator
12-Agron Llapo, 35 vjeç, punëtor
13-Nezir Stërmasi, 53 vjeç, punëtor, tre herë i dënuar politik
14-Eno Kapo (më datë 30 janar)
Më datën 29.1.1990 Hetuesia e Përgjithshme u vu në dijeni të këtyre ndalimeve. Me miratim të prokurorit, këta u arrestuan në bazë të neneve 55/1 dhe 13 të Kodit Penal, me përjashtim të Romir Papës. Nga hetimet dilte se gjatë ditëve të fundit të muajit janar 1990, në Tiranë është biseduar për organizimin e një demonstrate në datën 28.1.1990, fakt të cilin e kishin mësuar edhe të arrestuarit. Më 10.2.1990, të gjithë u liruan ndërsa për shtetasit Vasil Dhimitri, Faruk Pica dhe Zeqir Gollobani hetimet vazhduan, sigurisht nën torturat me çnjerëzore.
Aktakuza e datës 19.5.1990 sulmonte Vasil Dhimitrin se kishte humbur besimin te vija e PPSH-së, i ushqyer nga propaganda e huaj nëpërmjet radiove e televizioneve të huaja, ishte nxitur nga ngjarjet e ndodhura në Europën lindore. “Në bashkëpunim” me dy personat e shënuar në aktakuzë si dhe me persona të tjerë kishin konsumuar nenet 55/1 dhe 13 të Kodit Penal. Në fakt të tre të pandehurit nuk njiheshin me njëri-tjetrin.
Pretenca e prokurorit i ngjan një pamfleti politik, në të cilin flitet për një Shqipëri të lumtur me standarde, me papunësi, jetën e njeriut 70 vjeç, pa harruar të përmendeshin ndërtimi i kombinateve, fabrikave, e fitoret e tjera. Si kundërshtarë të këtij “realiteti” paraqiteshin tre të pandehurit që “nuk kishin formimin e duhur ideologjik”. Si përfundim, me vendimin nr.285, datë 21.6.1990 Gjykata e Rrethit Tiranë, i deklaroi fajtorë të pandehurit në bazë të nenit 55/1 duke i dënuar si vijon:
-Vasil Dhimitri, 2 vjet burgim
-Zeqir Gollobani, 1 vit burgim
-Faruk Pica, 9 muaj burgim
U la në fuqi me vendimin nr.71, datë 30.7.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Protagonistët e kësaj demonstrate kanë ngelur siç ishte ajo vetë, e heshtur. Prej tyre unë njoh vetëm Vasil Dhimitrin, të cilit i dërgoj një përshëndetje me anë të këtij postimi.