Kryetari i PD Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të PD-së kanë zhvilluar homazhe sot në Varrezat e Deshmorëve, duke vendosur kurora me lule.


Pas homazheve Basha u ndal në një urim dhe mesazh për shqiptarët, duke thënë se 28 nëntori, dita kur flamuri që na bashkon të gjithëve si komb, na kujton për sakrificën e madhe dhe çmimin e madh që liria dhe pavarësia e shqiptarëve kanë pasur ndër shekuj.


Basha homazhe


“Gëzuar 28 nëntorin, shqiptarëve kudo ku janë, këtë ditë të madhe, të bekuar kombëtare të lirisë dhe të pavarësisë. Sot është dita kur përkulemi me respektin më të thellë, nderimin më të madh kombëtar para heronjve të lirisë e të pavarësisë. Nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut, deri tek luftërat e fundit çlirimtare të shqiptarëve, 28 nëntori është dita kur flamuri që na bashkon të gjithëve si komb, na kujton për sakrificën e madhe dhe çmimin e madh që liria dhe pavarësia e shqiptarëve kanë pasur ndër shekuj, por po kështu na kujton për peshën e përgjegjësisë së brezit të ri dhe shqiptarëve sot për brezat e ardhshëm për Shqipërinë europiane dhe demokratike si thirrjen më të lartë dhe nderimin më të madh për sakrificën e heronjve dhe martirëve të lirisë dhe të pavarësisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, gëzuar të gjithëve”, deklaroi Basha pas homazheve.

(m.k/BalkanWeb)