Rreth 974 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit maj 2024, duke e çuar në më shumë se 3.3 milionë shifrën totale të fluksit turistik hyrës në pesë muajt e parë të vitit në vendin tonë.
Ministrja Mirela Kumbaro bëri sot publike shifrat duke theksuar se me afrimin e pikut të sezonit turistik bregdetar shtohet përgjegjësia institucionale dhe vëmendja për të prezantuar më të mirën e ofertës turistike shqiptare nën sloganin “Albania All Senses”.
“38% më shumë turistë të huaj se një vit më parë na vizituan gjatë muajit maj duke e çuar në 3.3 milionë numrin e turistëve që kemi pritur këta pesë muaj, e ndërsa piku i sezonit turistik bregdetar afrohet, forcojmë gjithë vëmendjen institucionale dhe shpirtin e mikpritjes për të prezantuar më të mirën e #AlbaniaAllSenses”, shprehet ministrja Kumbaro.
Ministrja Kumbaro është duke vijuar turin e inspektimeve në bashkitë bregdetare me qëllim monitorimin për përmbushjen dhe respektimin e standardeve, të pastërtisë, hapësirave publike dhe sigurisë në turizëm.