Suhareka ka regjistruar fitore në xhiron e 26-të të Albi Mall Superligës, duke e mposhtur Malishevën me rezultat 2:1.

Të tre golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë. Eneid Kodra zhbllokoi rezultatin në minutën e 57-të, ndërsa sulmuesi Mevlan Zeka vazhdoi formën e shkëlqyer duke shënuar golin e tij të 15-të sezonal katër minuta para fundit të kohës së rregullt për epërsinë 2:0 të Suharekës. Në fund, Malisheva ngushtoi rezultatin në minutën e dytë të kohës shtesë me golin e Drilon Hazrollajt, por nuk arriti ta shmangë disfatën.

Me këtë fitore, Suhareka ngjitet në kuotën e 32 pikëve në vendin e shtatë, duke u barazuar me Dukagjinin që aktualisht mban pozitën e tetë, e cila dërgon në barazh. Ndërkohë, Malisheva mbetet në pozitën e tretë me 41 pikë.

Trajneri Mirel Josa, i cili u emërua më 13 mars, e regjistroi kështu fitoren e parë me ekipin suharekas, pas humbjes në debutim ndaj Llapit (2:0).

Xhiroja e 26-të e Albi Mall Superligës vazhdon sonte me ndeshjen ndërmjet Prishtinës dhe Feronikelit 74, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb