Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë një takimi me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe AMP-së, që sot janë në pension, tha se frytet e punës suaj ndër vite janë të prekshme sot.

Hoxha theksoi se ndërsa në 2013 kishte 107 vrasje, sot kemi 3 herë më parë, duke e sjellë Shqipërinë në atë të nivelit europian, përsa i takon treguesve të kriminalitetit.

“Trajtimi i ish-punonjësve të Policisë ka shënuar përmirësim. Do të trajtoheni me dinjitetin që ju takon, falë reformës së pensioneve.

Dalja në pension është një proces dhe qeveria është e angazhuar për rritjen e pensioneve, duke nisur nga ato më të ulëtat.

Ju jeni një pasuri e madhe për shoqërinë. Përvoja juaj mund të shërbejë për edukimin e shoqërisë përmes leksioneve të hapura në shkolla. Jemi vend më i sigurtë falë punës tuaj”, tha Hoxha.

Ai theksoi se Policia e Shtetit është sot institucioni më i besuar dhe më i rëndësishëm për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Sipas tij, ky status nuk është thjesht një e dhënë statistikore; është një vlerë e ndërtuar mbi punën dhe sakrificat e atyre që kanë shërbyer në këtë trupë, shpesh duke rrezikuar jetën.

“Fakti se 227 Dëshmorë të Atdheut kanë humbur jetën në krye të detyrës është dëshmi e sakrificës për mbrojtjen e rendit, sigurisë dhe të ardhmes së Shqipërisë. Ky është një borxh që shteti dhe shoqëria jonë nuk mund ta harrojë dhe nuk mund ta shpërblejë kurrë plotësisht.

Falë këtij statusi dhe përmirësimeve ligjore të ndërmarra ndër vite, trajtimi i ish-punonjësve të Policisë ka shënuar përmirësime, por jemi të vetëdijshëm se ka ende punë për të bërë. Reforma jonë për rritjen e pensioneve synon të garantojë që çdo ish-punonjës të trajtohet me dinjitetin që meriton, veçanërisht ata që kanë shërbyer në kushte të vështira dhe me një nivel të lartë përgjegjësie”, tha Hoxha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb