Një ndeshje e çmendur në Ballsh, një 90 minutësh i nxehtë dhe plot emocione ai i zhvilluar në “Adush Muça” ku Bylisi i vendit të dytë priste Skënderbeun. Një takim që i pati të gjitha, sidomos në fraksionin e dytë të tij dhe që pa miqtë nga Korça të dalin triumfues në një sfidë ku e panë veten të përmbyshesin në çerekorëshin e fundit të ndeshjes, por që patën forcën për të reaguar dhe për të marrë tre pikët.


Momenti kyç i pjesës së parë do të regjistrohet në minutën e 21-të, kur kontaktin Ndeki-Peposhi, kryesori Bastari e cilëson të parregullt dhe akordon penallti për vendësit. Nga pika e bardhë do të ekzekutojë i zakonshmi Isli Hidi, por kësaj radhe portieri gabon duke e nxjerrë topin jashtë. Kur dukej se ekipet do shkonin në dhomat e zhveshjes me rezultat të bardhë, një tjetër penallti akordohet nga Bastari, për Skënderbeun. Nga pika e bardhë nuk gabon Krasniqi, që u jep të tijve epërsinë në minutën e dytë shtesë. 45 minutat e dyta do të jenë spektakolare. Pas shumë momenteve për shënim në të dyja portat, Bylisi do të barazojë në të 74-ën me Murataj dhe 5 minuta më pas kalon në avantazh me supergolin e Goxhajt, që në roveshatë mposht Koliçin.


Bylis Goxhaj
Bylis Goxhaj

Duket se Bylisi shkon drejt suksesit të gjashtë, por Skënderbeu do të bëjë një reagim të jashtëzakonshëm. Minuta e 85-të dhe Ndreca mban nga fanella Bregun, penallti e padiskutueshme për gjyqtarin. Vlonjati ekzekuton vetë dhe saktë, duke rikthyer barazinë. Bylisi hidhet i gjithi në sulm duke lënë hapësira pas, të cilat shfytëzohen nga Gripshi, që me një kundërsulm vdekjeprurës shënon golin e tretë dhe të fitores për Skënderbeun, që ngjitet në kuotën e 17 pikëve, 2 më pak se Bylisi i vendit të dytë.


Ndreca Fanella
Ndreca Fanella

Ndërkohë, në takimin tjetër e luajtur në Gjirokastër, Teuta nuk ka shkuar më larg se një barazim 0-0 me Luftëtarin, duke humbur një mundësi të artë për të kapur Partizanin e vendit të parë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb