Vijon seanca maratonë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila po ndiqet dhe nga përfaqësues të ambasadës së SHBA në Tiranë. Gazetarja Klodiana Lala zbardhi detaje të reja për “BalkanWeb” nga seanca mjaft e tensionuar brenda Krimeve të Rënda.

Sipas gazetares Lala, Saimir Tahiri ka marrë një nga një provat e Prokurorisë, duke tentuar t’i rrëzojë ato. Nga përgjimet e Prokurorisë, Moisi Habilaj flet me trafikantët, madje në një moment del në pah dhe “shefi i madh”, madje thuhet se ishin dhe në drekë me “shefin”.

“Në fakt në ditën që bëhet biseda, unë ndodhesha në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon, dhe kam dalë në konferencë me komisionerin për Zgjedhim. Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë. Prokuroria më akuzon se kam pritur në zyrë njërin nga vëllezërit Habilaj, por në atë ditë unë kam qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, pasi atë ditë ishin arratisur 7 persona nga Burgu i Drenovës”, ka thënë Tahiri.

Sipas gazetares Lala, ish-ministri Tahiri ka hedhur akuza të forta ndaj prokurorëve, duke thënë se ata kanë dështuar për të provuar akuzat ndaj tij. Gjithashtu, gazetarja tha se Saimir Tahiri ka qenë shumë i ashpër ndaj prokurorëve, duke i akuzuar për mosveprim ndaj grupit kriminal “Habilaj”.

“Doja të dëgjoja sot provat konkrete. Në kohën që Prokuroria më lidh me Laerd Çelajn, ky i fundit nuk ishte më drejtor i Policisë së Vlorës. Ajo çfarë unë duhet të dëgjoja sot janë veprimet dhe provat konkrete kundër meje dhe jo aludime për fakte që nuk i kam kryer. Prokuroria aludon se jam unë personi që kam favorizuar Habilajt. Prokuroria të më thotë se nga njëra anë veproja si pjesë e grupit kriminal dhe nga ana tjetër bashkëpunoja për ta goditur atë”, mësohet të ketë thënë ish-ministri Tahiri në seancë.

Ndërkohë, Saimir Tahiri ka mohuar të ketë qenë personi që merrte 30 mijë euro, siç rezulton në përgjimet e Prokurorisë, teksa flitet për një person me emrin Saimir”, duke thënë se bëhej fjalë për një shofer kamioni.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb