Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VonHorn, morën pjesë në ceremoninë e certifikimit të 30 punonjësve të AMP-së, të trajnuar nga ICITAP. Diplomatja amerikane tha se “pritshmëritë që publiku shqiptar ka për reformën në drejtësi mbeten të larta”. Ajo përcolli edhe një mesazh për politikën kur deklaroi se Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas.

“Dhe kjo ndodh për shkak se ju dhe kolegët tuaj tashmë keni prodhuar rezultate për ta. Dhe sot, 29 prej jush që po diplomohen, janë gati për ta rritur këtë ndikim.

Sa herë takohem me zyrtarë të qeverisë, një nga gjërat që theksoj vazhdimisht është se reforma në drejtësi është e pakthyeshme.

Dhe unë e them këtë sepse Shtetet e Bashkuara e besojnë atë dhe besojnë te ju”, u shpreh diplomatja amerikane, Nancy VanHorn.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Trajnimi i punonjësve të AMP mbi hetimin e krimeve është kryer sipas një moduli të standardizuar, miratuar edhe nga Prokurori i Përgjithshëm.

“Certifikimi i oficerëve, që do të ndiqet nga grupe të tjera, është një vlerë e shtuar për strukturat tona, në funksion të mbikëqyrjes policore. Synimi ynë është të krijojmë një trupë profesioniste, me integritet të lartë, në përputhje me pritshmëritë e publikut”, u shpreh ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.

Ai falënderoi ambasadën e SHBA-së në Tiranë, e posaçërisht përfaqësuesit e programit ICITAP në Shqipëri, për angazhimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale të strukturave të zbatimit të ligjit në varësi të Ministrisë së Brendshme, jo vetëm strukturave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, por edhe atyre të Policisë së Shtetit.

“Këtë javë, ne miratuam në parim në Komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare, projektbuxhetin për Ministrinë e Brendshme. Pa e fshehur krenarinë, dua të them se buxheti është më i madhi në këto 3 dekada, me fokus mbështetjen e investimeve. Për AMP-në, vitin e ardhshëm është garantuar mbështetja për forcimin dhe rritjen e efikasitetit me shtesë prej 3,4% në raport me planin e buxhetit të vitit 2024”, theksoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb