Partia Socialiste ka mbledhur mëngjesin e sotëm Kryesinë e saj, ku u diskutua lidhur me procesin e 30 qershorit.
Burime nga Kryesia e PS-së, siç bën me dije për “BalkanWeb” gazetari Ergys Gjencaj, thonë se në fund të korrikut Partia Socialiste do të mbledhë asamblenë.
Në fokus të kësaj mbledhje të sotme ishin edhe votimet e 30 qershorit. Mësohet se Rama i ka kërkuar të tijëve të bëhen mbledhje dhe analiza me asambletë e PS në çdo bashki.
Ai po ashtu ka kërkuar të ketë diskutime për rezultatet zgjedhore dhe ecurinë e procesit të konstituimit të këshillave bashkiake dhe kryetarëve të rinj.
Mbledhja e sotme vjen një ditë pas deklarave të bëra dje nga Presidenti Meta dhe ofertës që ai bëri për t’i dhënë fund krizës politike. Meta propozoi që për të zgjidhur krizën, në 13 Tetor përveç zgjedhjeve për pushtetin lokal, të ketë dhe zgjedhje për Kuvendin dhe për presidentin, një kërkesë kjo që gjeti heshtjen e kryeministrit Rama.
Pas 30 qershorit, Rama u shpreh se në PS do të niste një debat i brendshëm, por edhe me kundërshtarët politik, për të diskutuar lidhur me ecurinë e reformave, që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha palëve, veçanërisht ajo zgjedhore, por deri më tani nuk ka ndonjë shenjë për bashkëpunim.
Mazhoranca të hënën pritet të ngrejë komisionin hetimor, që do të verifikojë shkeljet e presidentit Meta në caktimin e një dekreti të ri për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vendin tonë.
(m.a/BalkanWeb)