FIER-Rrugët e fshatit Mbrostar në rre thin e Fierit janë të boshatisura. Aty ka vetëm gra, pleq e fëmijë. Kjo për shkak se të rinjtë janë larguar drejt Gjermanisë për një jetë më të mirë. Një prej banorëve të këtij fshati, i cili provoi jetën në një nga kampet e Gjermanisë është dhe Fakim Zyka. 30- vjeçari invalid, baba i një fëmije, pas tre muajsh qëndrimi në Gjermani është kthyer pranë familjes së tij. “Nuk munda të qëndroj më gjatë. Emigrova në Gjermani me shpresën se do të fitoja azil ekonomik dhe se do të kisha mundësi të kuroja falas dorën, të cilën e kam djegur vite më parë. Atje na jepnin asistencë sociale 350 euro në muaj, por në kamp na trajtonin më keq se qentë”, tha Zyka. Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai pohoi se autoritetet gjermane i kanë bërë me dije se shqiptarët nuk do të pajisen me dokumente dhe se do të kthehen të gjithë.
Pse ikët në Gjermani?
Vite më parë kam djegur dorën dhe jam invalid. Kur mësova se shumë persona shkonin në Gjermani si azilantë ekonomikë, shkova edhe unë. Doja të gjeja mundësinë për të kuruar dorën falas në spitalet e këtij shteti ose me ndihmën e institucioneve të ndryshme. Por, edhe pse qëndrova tre muaj në, kjo mundësi nuk m’u dha. Edhe pse merrja asistencë sociale 350 euro në muaj, u ktheva pranë familjes sime, pasi këtu trajtohem me KEMP.
Si ikët në Gjermani?
Ika nga Italia. Qëndrova jashtë një natë në stacionin e autobusëve në Milano. Ditën tjetër mora autobusin e linjës Milano– Frankfurt. Ku qëndrove pas mbërritjes në Gjermani? Qëndrova në një kamp. Aty na pritën e na morën dokumentet. Të gjithëve na dhanë nga një leje dhe mund të lëviznim vetëm 25 km larg kampit ku flinim. Mund të na thoni sesi iu trajtonin në kamp? Na jepnin ushqim më keq se qentë. Pak mjaltë e djathë në mëngjes. Patate të ziera në drekë dhe pak ushqim në darkë. Edhe pse u interesova që të kuroja dorën falas, nuk munda të bëja asgjë.
Pse u kthyet?
Nuk kisha arsye që të rrija atje. Jeta në kamp ishte shumë e keqe. Njerëz nga vende të Afrikës dhe Azisë, vende që janë në luftë, vetëm atyre do u japin azil. Asnjë shqiptar nuk merr azil.
Përse e thoni një gjë të tillë?
Nuk është se e them unë. Një gjë të tillë na e bënin të qartë autoritetet gjermane kur na merrnin në intervistë. Ata na thonin se shqiptarët nuk do të pajisen me dokumente dhe se do të kthehen të gjithë. Ndaj, nuk kisha përse të humbja kohën kot. Më mirë me të ardhurat nga KEMPI shqiptar dhe pranë familjes sime. Në Gjermani merrja 350 euro, por dhe atje duhej të paguaja korrentin, ujin e tjera.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: