SHKODER – Të afërmit e 30-vjeçarit Bahri Malaj, nga Postriba, denoncojnë dhunën e ushtruar nga blutë e Shkodrës ndaj djalit të tyre, i cili u ndalua teksa po transportonte lënde drusore. Vëllai i 30-vjeçarit tregon për “News24” se Bahri Malaj është dhunuar, duke i shkaktuar fraktura dhe dëmtime të tjera në kokë, qoftë në momentin e ndalimit por edhe pas shoqërimit në komisariat.
Por në një reagim lidhur me denoncimin e bërë në adresë të saj, Policia e Shkodrës sqaron se 30-vjeçari nuk është goditur nga uniformat blu. Sipas policisë, Bahri Malaj ka shfaqur kriza nervore pasi është ndaluar nga blutë e Shkodrës për një kontroll rutinë.
Veç kësaj, policia sqaron se e ka dërguar 30-vjeçarin në ambientet e urgjencës për shkak se kishte probleme shëndetësore nga një operacion që kishte kryer më parë.
“Në momentin kur patrulla e Policisë ka qenë duke e shoqëruar në Komisariat, ka ngritur me krik karrocerinë e mjetit duke hedhur dhe shpërndarë një sasi lënde drusore në rrugë duke u bërë pengesë për lëvizjen e mjetit të Policisë dhe duke vënë në rrezik jetën e punonjësit e Policisë”, -shkruan komunikata e policisë.
“Në lidhje me pretendimet e të arrestuarit për dhunë nga Policia, shërbimi i çështjeve të brendshme dhe ankesave ka nisur verifikimet. Njëkohësisht bëjmë me dije se në kartelën mjekësore të hapur në Spitalin Rajonal të Shkodrës për këtë shtetas nuk ka asnjë evidentim nga mjekët për ushtrim dhune nga ana e Policisë. Por ky shtetas është paraqitur në spital për shkak të shqetësimeve të ardhura si pasojë e një operacioni të kryer me parë”,- vijon më tej komunikata.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: