32 gra janë vrarë në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit – sipas raportit të parë për vrasjet e grave dhe vajzave dhe femicidin në Shqipëri për periudhën 2021-2023.

Raporti tregon se 90% e këtyre vrasjeve janë kryer nga një partner intim ose një anëtar i familjes.

Për herë të parë, Observatori Shqiptar i Femicidit, që u krijua këtë vit brenda strukturës së Avokatit të Popullit, ka publikuar një raport të detajuar mbi vrasjet e grave dhe vajzave dhe femicidin, ku rezultoi se 32 gra janë vrarë në Shqipëri gjatë periudhës 2021-2023. Afro 90% e vrasjeve (27) janë kryer nga partneri i tyre intim, ose nga një anëtar i familjes.

Raporti, i realizuar nga Avokati i Popullit me mbështetje nga UN Women dhe qeverisë suedeze, tregon se 24 nga këto raste janë identifikuar si femicide, që në dallim nga vrasjet e zakonshme, përkufizohen si vrasje të grave ose vajzave për shkak të gjinisë. Afërsisht 60% e rasteve të femicidit kanë ndodhur në banesën e viktimës.

Gjatë prezantimit të raportit, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, nënvizoi se “femicidi është kulmi i një vargu dhune dhe diskriminimi që gratë përjetojnë çdo ditë. Në Shqipëri, ky fenomen është një problem social që kërkon një reagim të fortë dhe të pandërprerë nga çdo institucion dhe individ. Ne duhet të kuptojmë se femicidi nuk është një çështje vetëm e viktimave. Ai është një problem që ka të bëjë me të gjithë ne. Çdo grua që vdes nga dhuna është një dështim i shoqërisë, i institucioneve dhe i edukatës sonë për barazinë dhe respektin reciprok. Kjo është një çështje që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar nga të gjithë”.

Raporti, i realizuar nga Observatori i Femicidit i ngritur në mars 2024, shërben si një mekanizëm i rëndësishëm monitorimi për parandalimin e femicidit.

Përmes tij, synohet të identifikohen boshllëqet në mekanizmat e mbrojtjes për viktimat e dhunës dhe të ofrohen rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse.

Ndër rekomandimet kryesore të këtij raporti mund të veçojmë:

Njohja e femicidit si një vepër penale e veçantë në Kodin Penal të Shqipërisë.

Rritja e koordinimit mes forcave të rendit, shërbimeve sociale dhe sistemit gjyqësor për të siguruar mbrojtje efektive për gratë në rrezik.

Raporti zbulon se 90% e viktimave të femicidit kanë përjetuar dhunë nga autorët e tyre më parë, duke theksuar se shenjat e hershme paralajmëruese kanë tendencën të shfaqen në forma të ndryshme të dhunës dhe abuzimit. Kjo nënvizon nevojën kritike për masa të menjëhershme dhe reagime të forta për të mbrojtur gratë dhe vajzat.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Michele Ribotta, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri theksoi ndikimin e femicidit si manifestimi më ekstrem i dhunës ndaj grave. “Femicidi nxitet nga diskriminimi gjinor, marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit dhe normat shoqërore të dëmshme. Ai është manifestimi më ekstrem dhe brutal i dhunës ndaj grave, i cili shfaqet në vazhdimësi të formave të shumta dhe të ndërlidhura të dhunës. Por dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është e pashmangshme – ajo është e parandalueshme! Observatori i Femicidit përfaqëson një mekanizëm shtesë në morinë e instrumenteve që duhet të përdorim për të eliminuar dhunën me bazë gjinore nga shtëpitë tona, shkollat, vendet e punës dhe hapësirat virtuale”.

Në vitin 2023, shkalla e femicidit në Shqipëri ishte 0.84 për 100,000 gra, më e lartë se në vitin 2022. Ndërsa kjo shkallë është më e ulët se në vendet fqinje si Mali i Zi dhe Greqia, ajo e tejkalon atë të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë. Raporti thekson rëndësinë e mbledhjes së të dhënave të qëndrueshme dhe transparente, duke përdorur kornizën statistikore të OKB-së për matjen e femicidit.

Femicidi është një krizë globale që prek gratë dhe vajzat në çdo vend. Sipas raportit të fundit botëror për femicidin, publikuar nga UN Women dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), në vitin 2023 rreth 51,100 gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët e tyre intimë ose anëtarët e tjerë të familjes (duke përfshirë baballarë, nëna, xhaxhallarë dhe vëllezër). Kjo do të thotë që, mesatarisht, 140 gra ose vajza vriten çdo ditë nga dikush brenda familjes së tyre.

Fjala e plotë e Avokates së Popullit, Erinda Ballanca
Sot, ndërsa flasim për të drejtat e njeriut dhe sfidat që na rrethojnë, nuk mund të mos ndalemi te figura e gruas shqiptare – një simbol i përkushtimit, sakrificës por edhe forcës. E konsideruar si shtylla e familjes apo edhe e edukimit, ajo ka mbajtur mbi supe jo vetëm përgjegjësitë brenda familjes, por edhe ka dhënë një kontribut të pamatë në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore.

Fatkeqësisht, GRUAJA, kjo figurë kaq e rëndësishme përballet me pabarazi, përjashtim por edhe dhunë.

Tragjikisht, jo pak prej tyre humbin jetën nga dhuna me bazë gjinore, një plagë e hapur e shoqërisë sonë, që kulmon me fenomenin e femicidit. Jo vetëm brenda kufijve tanë, por edhe në diasporë, gratë shqiptare kanë rënë viktima të dhunës, duke e bërë një prioritet nevojën për adresimin thelbësor të kësaj çështjeje.

A është e pranueshme që sot, të dëgjojmë histori si ajo e një nëne në Elbasan që u vra sapo doli nga gjykata ndërsa priste drejtësi për dhunën e ushtruar ndaj saj ndër vite?… Apo e një vajze të re që u vra sepse refuzoi një martesë të imponuar? Këto janë realitete që duhet të na shokojnë dhe të na zgjojnë nga indiferenca.

Femicidi, trauma e një shoqërie të tërë
Femicidi, humbja e jetës së grave vetëm për faktin se janë gra, është krimi më brutal që na detyron të shikojmë drejt e në sy realitetin tonë.

Çdo grua e vrarë lë pas një boshllëk që nuk mbushet kurrë. Familja shpërbëhet!!!

Fëmijët mbeten të vetmuar, të ngarkuar me trauma të thella që i ndjekin gjithë jetën.

Fëmijët e një gruaje të vrarë nuk humbasin vetëm dashurinë pa kushte të nënës; ata humbasin mirëqënien shqirtërore e ekonomike, sigurinë dhe shpesh ndjenjën e drejtësisë.

Një rast i tillë është ai një 6-vjeçareje në Shkodër, e cila me sytë saj pa se si babai i vrau nënën dhe veten më pas. Në atë shtëpi, ajo përpiqet të kuptojë pse ndodhi kjo, e me shumë gjasë nuk rresht së pyeturi veten: Kaq e parëndësishme paskam qenë unë sa im atë, ai që me solli në jetë e që duhet të më rriste, edukonte e shkollonte, më hoqi dashurinë e nenës dhe të tijën duke mohuar mundësinë e rritjes si të tërë fëmijët e tjerë?!

Mbi indiferencën dhe mosndëshkueshmërinë
Femicidi nuk është vetëm një krim individual; është një dështim kolektiv. Kur shoqëria hesht, kur institucionet nuk veprojnë, kur ligji mbetet vetëm në letër, atëherë ne bëhemi bashkëfajtorë.

Shqipëria sot përballet me një realitet të dhimbshëm! Shumë raste të femicidit ndodhin për shkak të pandëshkueshmërisë së dhunës së hershme. Ndonëse ndër vite është rritur ndjeshëm denoncimi i dhunës, ky fenomen ende vijon të konsiderohet një çështje që duhet të trajtohet brenda mureve të shtëpisë. Sigurisht që ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por me gjithë dhimbjen e qënies e të shpirtit na duhet të pranojmë se Shqipëria, ende në vitin 2023 mbetej me një normë ndër më të lartat për numër popullsie në Evropë por edhe në botë për femicid.

Thirrje për reflektim dhe veprim
32 të vrara në total, 24 prej të cilave kanë humbur jetën për shkak të femicidit gjatë viteve 2021 -2023. Ky numër nuk është vetëm një shifër! Aty janë jetë të humbura, ëndrra të paplotësuara dhe pasiguri për të ardhmen e atyre që mbeten. Secila prej këtyre viktimave është një jetë e cila është ndërprerë nga duar që nuk njohin asnjë lloj respekti për dinjitetin njerëzor.

Ne duhet të kuptojmë se femicidi nuk është një çështje vetëm e viktimave. Ai është një problem që ka të bëjë me të gjithë ne. Çdo grua që vdes nga dhuna është një dështim i shoqërisë, i institucioneve dhe i edukatës sonë për barazinë dhe respektin reciprok. Kjo është një çështje që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të koordinuar nga të gjithë.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka pasur një angazhim të fortë në adresimin e dhunës ndaj grave dhe femicidit.

Ne kemi ngritur zërin për këtë çështje, kemi publikuar raporte dhe rekomandime dhe kemi bashkëpunuar me autoritetet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile për të trajtuar këtë fenomen me seriozitetin që meriton.

Për këtë arsye, në bashkëpunim e me mbështetjen e UN women, në mars prezantuam Observatorin e Femicidit dhe sot po publikojmë këtë raport përgjithësues për fenomenin për vitet 2021 deri 2023.

Besoj se të gjithë këtu sot e dimë se lufta kundër femicidit nuk mund të fitohet vetëm me masa ligjore. Ajo kërkon një ndryshim të thellë në shoqërinë tonë, një ndryshim të mentalitetit, një edukim të vazhdueshëm për respektimin e të drejtave të gruas dhe barazisë gjinore; veçanërisht me fokus në brezat e rinj, për ta parë gruan si partneren e barabartë dhe jo si një objekt për shfrytëzim dhe kontroll.

Historikisht, femicidi ka qenë një fenomen i shoqëruar me shtypje sociale, patriarkalizëm dhe indiferencë institucionale. Studimi i këtyre rasteve na ndihmon të kuptojmë se femicidi nuk është thjesht një akt kriminal i rastësishëm, por një problem sistemik dhe kulturor që kërkon përpjekje të integruara për ta adresuar dhe eliminuar.

Çfarë duhet të bëjmë?
• Ligje më të forta dhe zbatim rigoroz: Nëse një grua kërkon ndihmë, ajo duhet ta gjejë atë pa frikë dhe pa vonesë.

• Edukim, Arsimim dhe ndërgjegjësim: Dhuna është abuzim! Kjo duhet të jetë një e vërtetë që çdo shqiptar e mëson se pari nëna që i jep jetë e frymë dhe më pas duhet të vijojë të përforcohet në cdo fazë të edukimit të tij.

• Mbështetje për viktimat dhe familjet e tyre: Gratë që vuajnë dhunën duhet të kenë qasje në strehim, mbështetje psikologjike dhe mundësi për të rifilluar jetën.

Mbi fëmijët e mbetur jetimë: një thirrje për mbështetje ekonomike. Kur një grua humb jetën për shkak të femicidit, ajo që mbetet pas nuk është vetëm dhimbja – mbetet një detyrim institucional dhe moral ndaj fëmijëve. |Kurre nuk do të rresht se kujtuari se ata janë viktimat e heshtura të kësaj dhune. Për ta, trauma nuk
mbaron me tragjedinë; sfida e thekshme sapo ka filluar.

Në Shqipëri, shumë prej këtyre fëmijëve përballen me kushte të pasigurta ekonomike, me mungesë të mbështetjes psikologjike dhe sociale, duke u rritur në hijen e dhunës që shkatërroi familjen e tyre.

Ky është një dështim i dyfishtë për shoqërinë tonë: së pari, nuk i mbrojtëm gratë dhe së dyti, nuk mbrojmë trashëgiminë e tyre më të shenjtë – fëmijët.

Kjo është arsyeja pse duhet të angazhohemi për një fond kombëtar për fëmijët e viktimave të femicidit. Ky fond duhet të garantojë:

• Mbështetje ekonomike për edukimin dhe jetesën e tyre deri në moshën madhore.

• Ndihmë psikologjike dhe sociale, për të siguruar që trauma e dhunës të mos përsëritet në jetët e tyre të ardhshme.

• Mundësi për një të ardhme më të mirë, sepse këta fëmijë nuk janë përgjegjës për të kaluarën e errët që i ndjek.

Nëse nuk veprojmë tani, do të jemi ne ata që po i dënojmë këta fëmijë në heshtje, duke lejuar që cikli i dhunës të vazhdojë brez pas brezi.

Një thirrje e fuqishme për burrat
Sot, dua t’u drejtohem edhe burrave, baballarëve, vëllezërve, bashkëshortëve, fëmijeve djem e shokëve.

Burrëria nuk është kontrolli mbi një grua! Burrëria është respekti dhe mbrojtja e saj!

Një shoqëri ku gratë janë të dhunuara dhe të vrara nuk është një shoqëri e fortë. Është një shoqëri që dështon cdo ditë. Dhe ju, burrat, sebashku me ne, keni një rol të pazëvendësueshëm për ta ndryshuar këtë. Për të ngritur zërin kur një grua kërcënohet. Për të mësuar djemtë tuaj që dhuna nuk është zgjidhje. Për të qëndruar përkrah grave, jo kundër tyre.

Thirrja ime si Avokate e Popullit është:
• Bëhuni aleatë të grave! Mos e shihni dhunën si një çështje vetëm të tyre, por si një plagë të përbashkët.
• Ndërhyni! Mos mbyllni sytë kur një grua kërkon ndihmë, kur një vajzë presionohet apo kërcënohet.
• Ndërtoni një model të ri burrërie! Mësoni djemtë tuaj se burrat e vërtetë nuk kanë frikë të respektojnë, të duan dhe të mbrojnë gratë.

Kjo nuk është thjesht një thirrje. Kjo është një kërkesë për të gjithë burrat që e quajnë veten qytetarë dhe njerëz me ndërgjegje. Fati i grave tona, i motrave tona, i vajzave tona, është në duart tona të përbashkëta.

Përfundimi: Zgjedhja është e jona!

Kemi dy rrugë përpara: të heshtim dhe të lejojmë që femicidi të vazhdojë, duke shkatërruar jetët e grave dhe familjeve, ose të zgjedhim veprimin.

Ne duhet të jemi zëri i grave që nuk mund të flasin më. Duhet të jemi mbështetja e fëmijëve që kanë humbur gjithçka. Dhe mbi të gjitha, duhet të jemi ndryshimi që kjo shoqëri ka kaq shumë nevojë të shohë.

Faleminderit për guximin tuaj për t’u bërë pjesë e kësaj lufte.Le ta fitojmë së bashku!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb