Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani po raporton në KLP në lidhje me punën e SPAK për vitin 2024. Ai ka nënvizuar se Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar bashkëpunimin me prokuroritë e rajonit me qëllim goditjen e kriminalitetit.
“Kemi punuar me Greqinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Po punohet edhe me Serbinë, me qëllim rritjen e kontakteve”, tha ai, ndërsa ka shtuar se në fokus të SPAK ka qenë përmbushja e rekomandimeve të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave.
Kreu i SPAK foli edhe në lidhje me luftën ndaj korrupsionit, ku nënvizoi se 33 zyrtarë të lartë janë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë.
“Gjatë 2024 për dhjetë funksionarë publikë ka pasur dënime të formës së prerë. Hetimet kanë provuar se korrupsioni zhvillohet në mënyra të sofistikuara.
Kallëzimet e nisura nga qytetarët janë tregues i rritjes së besimit ndaj SPAK. Ndërsa vihet re ulje e numrit të kallëzimeve nga Policia e Shtetit”, tha ai.
(BalkanWeb)