FIER
Me 34 vota pro, dy kundër dhe dy abstenim, është miratuar mes debatesh në Këshillin Bashkiak Fier, buxheti i vitit 2025, vlera e të cilit është 2.7 miliardë lekë.
Kartonat jeshilë u ngritën me shumicë pas 6 orëve debate e diskutime , veçanërisht për pikën 4 të rendit të ditës që kish të bënte me rritjen e pagave të kategorive të ulëta të administratës së bashkisë Fier. Rritja për këtë kategori bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave , ka thënë në fjalën e tij kryebashkiaku Subashi , ndaj çdo vendim i marrë më pare nga institucioni i bashkisë do të binte ndesh me ligjin raporton për BalkanWeb Ilmi Saliaj.
Mes diskutimeve për këtë pikë të rendit të ditës, ndërmjet këshilltarëve të djathtë janë rindezur debatet për rritjen maksimalisht të pagës së administratës dhe kryebashkiakut, kërkesë që u propozua dhe u miratua nga vetë ata ndërkohë që Subashi ka ripërsëritur faktin se rikthimi i këtij debati është i pavlerë pasi kjo është histori e mbyllur , aq më tepër që në rastin konkret pagat janë të përcaktuara saktësisht me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Debatet janë përqendruar edhe te mostransmetimi live i mbledhjes gjë që është konsideruar si mungesë transparence nga këshilltarët e djathtë, te zbatimi i rregullores dhe funksionimi i komisioneve.
Ndërkohë buxheti i 2025-ës , më i madhi deri më sot për bashkinë e Fierit, do të ketë në fokus përmirësimin e shërbimeve publike, rikualifikimin urban të qendrave të njësive administrative, përmirësimin e cilësisë së institucioneve arsimore dhe shëndetësore , pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kulluese e vaditëse, etj. Nga ana tjetër borxhi i bashkisë Fier për këtë vit llogaritet në 90 milionë lekë , i cili do të shlyhet në pjesën më të madhe të tij nga fondi i pakushtëzuar i qeverisë që arrin shifrën 64 milionë lekë.