4.9 milionë vizitorë janë regjistruar në zonat e mbrojtura nga janari në tetor të vitit 2024, ose 20% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Shifrat janë bërë publike nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila shprehet se kjo është një provë e shtrirjes së sezonit në territor dhe në kohë, duke diversifikuar ofertën turistike.

“4.9 milionë vizita nga janari në tetor janë shënuar në zonat tona të mbrojtura nga parqet kombëtare, parqet natyrore e deri te monumentet e natyrës duke tejakaluar krejt vitin 2023, si prova më e qartë e shtrirjes së turizmit gjatë gjithë vitit, diversifikimit dhe zhvillimit të ekoturizmit, teksa vetëm gjatë muajit tetor janë shënuar 440 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura”, shprehet Kumbaro.

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, 3,2 milionë vizita janë kryer nga qytetarë shqiptarë dhe 1,7 milionë nga vizitorë të huaj.
Për muajin tetor, parqet më të vizituara kanë qenë Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë me 78 mijë vizitorë, Parku Kombëtar Divjakë Karavasta me 29 mijë vizitorë dhe Parku Kombëtar Butrint me 17 mijë vizitorë.

Turizmi natyror dhe zonat e mbrojtura ishin në fokus të buxhetit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vitin 2025, me dy projekte kryesore siç është ngritja e infrastrukturës në Eko-Park Ulza dhe Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Një ditë më parë, u publikuan edhe shifrat e vizitorëve të huaj të cilët nga janari në tetor shënuan 10,4 milionë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb