Të paktën katër persona u vranë dhe 36 të tjerë u plagosën kur një tren mallrash u përplas me një autobus pasagjerësh në orët e para të mëngjesit në qendër të Perusë, tha policia kombëtare e vendit.
Aksidenti ndodhi rreth orës 4:30 të mëngjesit me orën lokale (0930 GMT) në kilometrin 156 të autostradës qendrore në La Oroya, një qytet në departamentin Junin të Perusë qendrore, ndërsa shoferi i autobusit u përpoq të kapërcejë trenin, tha kreu i Policisë, Justo Venero.
“Të vdekurit janë dërguar në morgun qendror. Ajo që kam mundur të vëzhgoj është se ata janë midis 25 dhe 35 vjeç. Disa prej tyre janë ende brenda (autobusit) … nuk mund t’i nxjerrim,” tha Venero.
Autobusi, i cili udhëtonte nga Lima për në qytetin Huancayo, drejtohej nga një kompani e quajtur Apocalipsis dhe treni i përkiste Ferrocarril Central Andino.
Sipas drejtuesit të trenit, ai u përplas në pjesën e pasme të autobusit, por faji ishte i shoferit të autobusit, sepse “sinjalet ishin të dukshme dhe treni po lëvizte me dritat e ndezura”.
Treni i mallrave ka një diferencë minimale frenimi prej 100 metrash, tha Venero.
(A.A/BalkanWeb)