Janë rreth katër mijë e dyqind pika të regjistruara bastesh tek ne. Punësojnë rreth 10 mijë veta. 7200 të punësuar të regjistruar dhe pjesa tjetër, familjet që marrin qiratë, pse shumica e këtyre pikave ku zhvillohen bastet fizike (me letra ku regjistrohet nga lojtari fituesi i mundshëm) janë mjedise të dhëna me qira. Më datën 1 janar 2019 këto dhjetë mijë familje presin me ankth si do të shkojë punësimi i tyre, pasi ligji do të ndryshojë dhe bastet sportive fizike do të dalin jashtë tij. Një premtim i bërë është që nëse nisin një aktivitet tjetër, do të taksohen me vetëm 5 për qind nga 15 për qind që është tani tatimi mbi fitimin (Po çfarë të bëjnë? Të shndërrohen në ushqimore, kinkaleri, butikë? Nuk kemi të tilla?)

Megjithatë, ulja trefish e detyrimit ndaj shtetit si zor të shmangë mijëra vetë për të mos përfunduar rrugëve. Sikurse përfunduan shumica e 255 punonjësve të kompanisë celulare “Plus”, që një ditë të bukur të këtij viti u zhduk pa lënë gjurmë. Kush duhet të mendojë për këta mijëra vetë? A mund të ketë një ulje të përshkallëzuar të aktivitetit të lojërave të fatit me bastet? Vetë përfaqësuesit e kompanive të basteve (janë tri të tilla kryesore të licencuara tek ne, që kanë hapur këto 4200 pika në të gjithë territorin e vendit) pohojnë se mund të pranojnë të ulin pikat që menaxhojnë në 300 secila (duke kaluar në 1500 pika në të gjithë vendin, pasi ligji lejon regjistrimin e pesë kompanive kryesore). Nëse e pranojnë këtë dhe u ofrohet kjo gjë, ndoshta nuk do të hedhin në gjyq ndërkombëtar shtetin tonë.

Nëse më 1 janar 2019 të gjitha bastet fizike mbyllen, sikundër janë shumë gjasa, kompanitë do të rendin në gjykatat ndërkombëtare duke hedhur në gjyq shtetin dhe Buxhetin tonë të Shtetit. Për të mos shkuar në gjyq me CEZ paguam 120 milionë euro, pse nga humbja e gjyqit mund të paguanim edhe dyfishin. Kompanitë e basteve që do të mbyllen në 1 janar 2019 kanë licenca të rregullta nga shteti ynë për të zhvilluar aktivitet 10-vjeçar, deri në vitin 2026. Ndërprerja e menjëhershme e aktivitetit pa një arsye të paracaktuar në kontratë e bën të cenueshëm shtetin tonë. Deri në nivelin e 180 milionë eurove gjoba, nëse të gjitha kompanitë na hedhin në gjyq dhe e fitojnë gjyqin ndërkombëtar (gjë që ka shumë mundësi). A jemi në gjendje ne të paguajmë një haraç të tillë?

Humbjen e vendit të punës së mijëra familjeve dhe humbjen rreth 200 milionë eurove të Buxhetit të Shtetit (pa llogaritur të ardhurat e munguara nga taksimi i aktivitetit që çdo vit shkojnë rreth 25 milionë euro)? A nuk mund të ketë një zgjidhje të mesme ku dhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet? Një kufizim i fortë dhe gradual i basteve fizike, për të shkuar drejt shuarjes së tyre në një hark kohor 2-3 vjet? I dimë të gjithë të këqijat e pasionit të basteve, që mund të shndërrohet lehtë në ves të pakthyeshëm. Për shkak të një ligji lojërash fati të masakruar nga ndërhyrjet e politikës në vitin 2015, brenda dy viteve sot kemi një gjendje ku pikat e basteve dhe qendrat e lojërave të fatit janë shtuar tri herë. Duke shkatërruar mijëra ëndrra të pastra për sukses në jetë, duke thithur energjinë dhe shpresat jo vetëm të të rinjve tanë që mblidhen aty në dhjetëra mijëra, por edhe mesoburra e të moshuar!

Krahas rekordit botëror në numrin e bar-kafeneve, duke ia kaluar edhe Spanjës (654 bar-kafene për 100 mijë banorë), kemi thyer me pasionin-ves të basteve edhe rekordin e pikave të basteve për 100 mijë banorë! Na e kalojnë për numrin e lojërave të fatit në një sipërfaqe mbi 1000 ha vetëm Monte Karlo dhe Las Vegas! Në 12 kompanitë më të mëdha private në Shqipëri, që kishin më shumë se 1000 punëtorë, tri ishin kompani të lojërave të fatit në vitin 2017! Bastet po rrezikojnë të kthejnë jo vetëm të rinjtë që i luajnë, por të gjithë ekonominë dhe shoqërinë tonë në parazitare, përtace dhe primitive, ku njerëzit nuk punojnë, por… luajnë. Vënë baste nëpër loto, diskutojnë gjithë ditën për shanset e fitores, mes një gote raki, dy krikllave birrë apo 5 qofteve. Në vend që paratë e shqiptarëve të kanalizohen në sektorë prodhues e premtues për shërbimet si turizmi, agro-turizmi, produktet bujqësore për eksport etj., shumica shkojnë në të 4200 pikat e basteve dhe ikin jashtë vendit, pasi vlera e bastit nuk mbetet këtu. Shumë pak mbetet këtu.

Kompanitë tona veprojnë më shumë si seksere, pasi basti përballohet jashtë shtetit. Këto lojëra thithin edhe shpresën e fundit për energji pozitive dhe nisma biznesi, ku protagonistë të jenë të rinjtë. Në të kundërt: këta mësohen të fitojnë para duke… luajtur skedina! E dimë mirë se kjo situatë është preludi i shkallmimit të moralit të të bërit shtet, apo të formatimit të një ekonomie të shëndoshë. Por, shëndoshja e ekonomisë dhe shoqërisë duhet të vijë gradualisht. Ajo kurrsesi nuk mund të prodhohet nga një akt ekstrem, nga një frenim total dhe mbyllje e 4200 qepenave të fatit. Nëse frenojmë kështu, kostot do të jenë të rënda, në plan social dhe në goditje të fortë të Buxhetit të Shtetit, me pagesa gjobash ndërkombëtare në nivele 50-80 milionë euro në vit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb