Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mbush sot 5 vite nga krijimi. Në fjalën e tij, kreu i SPAK Altin Dumani, u shpreh se drejtësia nuk njeh anë dhe kah dhe nuk ka persona të paprekshëm

“Pesë vjet më parë, shoqëria shqiptare vendosi të hedhë me besim hapin vendimtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prokuroria e Posaçme u krijua për të treguar se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij. Lidhur me korrupsionit, janë 1036 persona nën hetim, 61 zyrtar të nivelit shumë të lartë dhe 70 përqind e tyre janë dërguar për gjykim.

Janë ngritur 42 skuadra të përbashkëta hetimore në lidhje me bashkëpunimin me ndërkombëtarët.

Kemi sekuestruar 182 mln euro asete të përfituara në mënyra të paligjshme.

Kemi hetuar zyrtarë të të gjitha niveleve, mesazh që drejtësia nuk njeh anë dhe kah dhe nuk ka persona të paprekshëm.

Sa i përket krimit të organizuar, janë proceduar 955 persona nga ku 55% e tyre janë dërguar në gjykim. Në fushën e terrorizmit, janë proceduar 29 persona nga ku 100% e tyre janë dërguar në gjykim. Në këto pesë vite kemi ndëshkuar zyrtarë të lartë të te gjitha niveleve dhe kemi treguar se korrupsioni sfidohet, krimi i organizuar vihet përpara përgjegjësisë, dhe askush nuk është mbi ligjin.

Ne jemi krenarë për kontributin tonë në lehtësimin e integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane, duke ruajtur standardet evropiane të zbatimit të ligjit. Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës. Ne jemi këtu për të garantuar një sistem drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa e vuajtje për të tjerët”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb