Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar lidhur me SPAK, institucion i krijuar 5 vjet më parë, i cili është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë. Në ceremoninë e zhvilluar sot ishin zv.Ndihmës Sekretari amerikan për Ballkanin Përdëndimor, Alexander Kasanof, si dhe diplomatë nga vendet e BE-së dhe Britanisë së Madhe.
Ndërkohë në ceremoni nuk ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, edhe pse ky i fundit në jo pak raste ka marrë meritën për ngritjen e këtij institucioni, duke theksuar se pa vullnetin e socialistëve nuk do të mund të realizohej ngritja e këtij institucioni.
Analisti Fatos Lubonja u shpreh se këto 5 vjet është rritur perceptimi i korrupsionit dhe korrupsioni në Shqipëri. Në këtë kuadër, Lubonja ngriti një pyetje për SPAK se si ka mundësi që këta njerëz që tashmë janë të prekshëm nuk kanë frikë kur bëjnë korrupsion, apo si ka mundësi kur pastrimi i parave bëhet përmes kullave dhe asnjë kullë nuk sekuestrohet?
“Keni dosjen e Elbasanit ku vetë Dumani flet për lidhjet e krimit me politikën, por këtë territorin e politikës, vetë SPAK nuk e prek, aty ndalet”, tha Lubonja.
Ai theksoi se ardhja e zyrtarit të DASH duhet parë në dy aspekte: mbështetje ndaj SPAK ndaj mirëqeverisjes së Edi Ramës, meqë ky institucion u ngrit në kohën e Qeverisë socialiste, apo si një mbështetje ndaj SPAK për shkak të kërcënimeve nga ai Komisioni Xhafaj, pra nga Edi Rama?
Lubonja tha se janë disa njerëz që janë lobuar nga Soros dhe vijnë në Shqipëri për të marrë pjesë në celebrime të tilla, sikundër ndodhi sot. “Këta njerëz vijnë të na mësojnë se çfarë është ligji dhe pastaj na mësojmë si të shkelim Kushtetutën, pasi me Kushtetutë nuk lejohen dy mandate të prokurorëve të SPAK”, tha Lubonja.