TIRANE – Po shfaqet në kinematë e Tiranës filmi erotik “50 hijet e Greit”.
Dalldinë femërore të ditëve të para e pasoi kurioziteti i meshkujve, shoqëruar me një sëkëlldi nga të dyja palët. Premiera e filmit “50 hijet e Greit” thuajse përjashtoi burrat nga pjesëmarrja. Vihej re vetëm ndonjë prezencë hibride. Disa nga këta të fundit (burrat pra) u inatosën shumë pse femrat e kthyen premierën botërore, në një “festë” vetëm për vete. Prandaj, ashtu me nerva, vendosën të vijnë edhe vetë në kinema, mbrëmjen pasardhëse. Natën e parë, kinemaja ishte e zhurmshme përgjatë gjithë transmetimit të filmit. Kuptohej qartë që gati treçereku i të pranishmeve kishte lexuar edhe librin ­librat (sado e trishtueshme mund të duket kjo). Fjalosjet tregonin se më të talentuarat, po ndriçonin shoqet që kishin në krah, mbi “misterin” e skenës pasardhëse sado që nuk është fare nevoja të jesh ca e brumosur për ta kuptuar. Skenat më erotike të filmit shoqëroheshin shpesh me të qeshura. Kjo o bëhej për të fshehur njëfarë sikleti që mund t’u ‘mbinte’ natyrshëm, ose batutat ishin vërtetë të kamufluara për t’i kuptuar të gjithë. Se, kishte edhe batuta, nëse nuk i keni vënë re të gjithë! Zhu­zhutë as nuk u përpoqën të përmbahen kur, Anastasia, e nënshtruara e Greit, humbi virgjërinë. Nuk ishte nevoja t’u jepje të gjithave, të plotësonin një pyetësor të detajuar, për t’u sqaruar që asnjëra nuk kishte pasur përvojë të ngjashme. Sidomos kur Anastasia, u rimëkëmb, 4 minuta më vonë. Vajzat, ndërkaq, kujtonin katër ditët e tyre pas… mes atyre të ngushtave (mikeshave) që nuk kishin pasur rastin më parë të flisnin rreth çështjes, ishte një rast i mirë për të kujtuar ato kohëra që, për shkak edhe të kujtimeve të ngjeshura, për ndokënd, mund të mos mbahej mend. U vunë re gjatë filmit, lëvizje të ndryshme. Disa lëkundeshin në vendndenje, të tjera u ngritën nga vendi për të rihyrë pas disa minutash. Në këtë pikë, salla femërore, kishte ngjashmëri me mbrëmjen tjetër, ku, mes shikuesve, kishte edhe meshkuj. Mosha mesatare e tyre ishte 22 vjeç. Shumica kishte dëgjuar të flitej për Grein nga e dashura. Kësaj të fundit, ia kishte sugjeruar titullin një shoqe nga klasa paralele. Le ta kishte për pushimin mes sezonit të provimeve. Mirëpo, djemtë, jo të gjithë ishin përgatitur për atë çka realisht mund të ishte. Ndofta, u gjendën ngushtë, sepse ngulmin e shoqes për ta sjellë në kinema e interpretuan si ftesë nga ana e saj, për të lodruar mes po atyre lodrave. Hë mo, se film është… edhe ai që ke lexuar, libër është… ­pëshpërisnin. Megjithatë, heqja dorë nga ajo çka mund të vinte pas daljes nga kinemaja, nuk donte të thoshte që, aty për aty, situata të ishte krejt nën kontroll. Prandaj, njëri pas tjetrit filluan të dilnin e të hynin. I pari që theu akullin ishte një çift që dukej mbi të 25­at. Të gjithë sytë u shkëputën nga filmi për të shoqëruar, bashkë me komente e të qeshura, të rinjtë, deri te dera e daljes. Mendimi i parë, siç duket, kishte qenë që ikën për të mos u kthyer, por u gabuan. Pas disa minutash, u shfaqën sërish më në formë se më parë. Me të hequr turpin e parë, skena u përsërit, por kryesisht nga djem të vetmuar që e kaluan kohën në kinema, duke broçkollisur. E bënin këtë edhe me zë të lartë. Kështu, me siguri mendonin se fshihnin mangësitë e tyre. Nuk dimë si mund t’ju ketë shkuar nata më vonë, por gjasat ishin vetëm për konflikte. Tek e fundit, gratë nuk ishin kaq të axhituara. E vetmja pikë në favor të djemve ishte skena e virgjërisë. Aty, ato ulën kokat… Ky ishte Grei, që, për pak orë (gjatë leximit, ndofta, kush e ka lexuar do të thoshte për disa ditë) çrregulloi “hënën” femërore dhe sikletosi burrat. Në fund, këta e kthyen sërish në pikë për vete. Sadizmi (fjalë për të cilën tashmë thuhet se e përdorin vetëm amatorët. Burrat e vërtetë janë dominues!) nuk është i zotërinjve.
(er.nu/unegruaja/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: