DURRES

50 raste te reja diagnostifikohen çdo vit me sëmundjen e kancerit te gjirit ne qytetin e Durrësit. Por ajo që është më shqetësuese për mjekët onkologë është ulja e moshës së pacienteve, që preken nga kjo sëmundje e rende.

“Ajo që kemi vënë re është një rritje e rasteve të reja në moshë më të re. kemi vënë re ulje të moshës së diagnostikimit me kancer gjiri. Nëse më përpara flisnim për një fashë ndërmjet 50-60 vjeç, tani kemi raste të diagnostikuara me kancer gjiri dhe në moshën 30-40 vjeçe”,- thotë për “News 24” mjekja onkologe Besmira Malaj.

Tetori njihet në të gjithë botën si muaji rozë dhe i dedikohet fushatave të shumta ndërgjegjësuese për parandalimin dhe diagnostikimin e kancerit të gjirit. Fushata e këtij viti ka sloganin “Ia vlen të jetosh”, por pavarësisht apeleve të institucioneve shëndetësore, rastet e reja të prekura nga kjo sëmundje zbulohen kryesisht në një stad të vonë.

“Pavarësisht apeleve që ne bëjmë dhe njohurive mbi kancerin e gjirit, kjo sëmundje vazhdon të diagnostikohet në stade të avancuara. Janë shumë të rralla rastet, të cilat ne i kapim në stade shumë të hershme”-vijon më tej Besmira Malaj.

Përgjatë gjithë këtij muaji, pranë Spitalit Rajonal të Durrësit ofrohen mamografi falas nga e hëna në të shtunë, në fashën orare 08.00-18.00. Mjekja onkologe, Besmira Malaj apelon për kontrolle periodike, që në moshë të re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb