Dy mistere rrotullohen rreth Pablo Nerudës (1904-1973), një poet kilian mes gjigantëve botërorë të shekullit XX, shkruan focus.it.
Njëra daton 50 vjet më parë dhe ka të bëjë me rrethanat e vdekjes së tij, e cila ndoshta ndodhi me urdhër të diktatorit Pinochet.
Tjetra është shumë më e re, lidhet me lëvizjen #metoo.
Përzierja e poezisë dhe veprimtarisë politike në Partinë Komuniste të Kilit, e karakterizuar nga sakrifica dhe rreziqe personale, arratisjet nga policia dhe vitet e gjata të fshehjes dhe internimit, kontribuojnë në bërjen e polemikës rreth figurës së tij ende dhe gjithnjë aktuale.
Por, për shumicën e njerëzve Pablo Neruda është thjesht personazhi që shfaqet në filmin italian ”Postieri”, i fundit i Massimo Troisi, i luajtur nga Philippe Noiret që i ngjan Nerudës së vërtetë në një mënyrë mbresëlënëse.
Ricardo Basoalto (ky është emri i lindjes së Nerudës) u lind më 12 korrik 1904 në Parral, një qytet në një provincë të braktisur të Kilit.
Duke pasur një talent të hershëm për poezinë, ai hasi armiqësinë e babait të tij, një punëtor hekurudhor që e konsideronte atë një humbje kohe.
Pikërisht për t’i shpëtuar kontrollit të prindit, djali, në vitin 1920, vetëm 16 vjeç, filloi të shkruante disa poezi të firmosura me pseudonimin Pablo Neruda. Suksesi letrar ishte i shpejtë dhe i bujshëm.
Tashmë midis viteve 1923 dhe 1924 Neruda e gjeti veten në Olimpin e poetëve, i vlerësuar nga bota letrare dhe i përkthyer në të gjitha gjuhët.
Mirëpo, duke parë që honoraret nuk mjaftonin për të siguruar jetesën, ai kërkoi një punë.
Një çmim letrar studentor dhe njëfarë popullariteti i librave e ndihmoi atë në vitin 1927 të fillonte karrierën e tij si konsull, i cili, së bashku me udhëtimet e tij të kënaqësisë, e çoi atë në vite për të zbuluar pesë kontinentet, duke zgjeruar edhe horizontet e tij poetike.
Neruda nuk u kufizua më në kompozimin e vargjeve të dashurisë dhe erosit, por trajtoi tema sociale dhe politike në poezitë e tij, duke mbajtur gjithmonë një pozicion të majtë.
Në fazat e mëvonshme të jetës së tij ai madje shkroi për Stalinin (për të cilën më vonë u pendua) dhe për grushtin e shtetit të Pinochetit në 1973.