Anglia është gati për finalen ndaj Spanjës. Skuadra e Gareth Southgate, “po numëron” mbrapsht startin e një sfide, që mund t’i fusë ata në histori. 58 vite që mungon një trofe i rëndësishëm, që nga 1966 kur Anglia u shpall Kampion Bote pas fitores në finalen me Gjermaninë Perëndimore, janë vërtet shumë për vendin që shpiku futbollin. Kështu e nis analizën e prag finales tabloidi i njohur britanik “The Sun”. Sipas tij, Gareth Southgate i ka të 26 futbollistët e gatshëm për finalen e së djelës ndaj Spanjës.
Gjithashtu në stërvitjen e fundit para finales, të shtunën në mesditë, “The Sun” ndoqi me kujdes direktivat e fundit të dhëna nga tekniku. Në raportimin e “The Sun” thuhet se kombëtarja e “Tre Luanëve” është plotësisht e fokusuar tek ndeshja me Spanjën. Humori brenda grupit ishte shumë i mirë, teksa u dallua në formë shumë të mirë gjatë stërvitjes portieri Pickford, ndërkohë që trajneri Gareth Southgate u ndal për disa minuta për të folur me qendërmbrojtësin John Stones.
Ndërkohë “The Sun” u ndal në analizën e saj për këtë prag ndeshje edhe në lëvizjet taktike të minutës së fundit, që mund të bëjë Southgate. Në fakt hipoteza e hedhur nga tabloidi britanik është deri diku e pamundur për të ndodhur, teksa ata hedhin mundësinë e një lëvizje suprizuese në sulm, ku njeriu që i dha golin e kualifikimit në gjysmëfinale ndaj Holandës, Ollie Watkins, mund të jetë titullar në majën e sulmit në vend të kapitenit Harry Kane. Një lëvizje që ka pak gjasa të ndodh, kur dihet edhe se sa shumë beson Southgate tek kapiteni i tij, Kane.
Shkaku kryesor që sipas “The Sun” mund të shtyjnë teknikun e Anglisë të hedh nga minuta e parë Watkins në vend të Kane, është rendimenti i lojtarëve aktualisht, si dhe fakti që duke njohur mënyrën e lojës së mbrojtësve spanjollë, Ollie Watkins mund të ishte një lëvizje më e përshtatshme, për të vendosur në vështirësi mbrojtjen e “La Roja-s”, në këtë sfidë. Megjithatë këto janë supozime të gazetarëve, pasi për të pritur ndryshime në formacion nga tekniku Southgate, aq më tepër para një sfide finale, do të jetë tepër e vështirë.