Rruga e Arbrit është tashmë një premtim i mbajtur, me hapjen e plotë të Tunelit të Murrizit për automjetet, që u realizua sot, pas një pune sfiduese që në nisje të tij për shkak të gjeologjisë problematike të zonës nëpër të cilën kalon.

I shumëpritur për të gjithë banorët e Dibrës, dhe jo vetëm, tuneli i Murrizit i cilësuar edhe si shtylla kurrizore e rrugës së Arbrit, përbëhet nga dy tunele, nga tuneli kryesor me një gjatësi prej  3789 dhe tuneli i emergjencës me gjatësi 3781m, i përbërë nga 11 hyrje dhe dalje.

Për të festuar së bashku me banorët e Dibrës ishte sot kryeministri Edi Rama, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, dhe drejtues e përfaqësues të pushtetit lokal, të cilët pasi përshkuan një pjesë të tunelit në këmbë, e vijuan rrugën me autobuz duke parë ndërkohë edhe punën e realizuar, si dhe masat e ndërmarra në mënyrë që tuneli të funksionojë në siguri të plotë.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e jashtëzakonshme dhe inkurajoi që të gjenden zgjidhjet infrastrukturore edhe për çdo pjesë tjetër të rrugës, në mënyrë që të jetë sa më funksionale dhe lehtësisht e aksesueshme.

Rruga e Arbrit, një nga arteriet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përfundimi i së cilës sjell një lehtësim të madh në lidhjen mes Tiranës dhe Dibrës. Ky projekt madhor ka përfshirë ndërtimin e 54 kilometra rrugë me 10 kilometra tunele dhe 1.4 kilometra ura.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb